Lidhje

Tiranë, arrestohet ish Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë


Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Në Tiranë, ish presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua sot me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Akuzat zyrtare ende nuk janë bërë publike, por sipas avokatit të tij ato kanë të bëjnë me dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Avokati i tij dhe politikanë të tjerë opozitarë e cilësuan këtë si një sulm politik nga kryeministri Rama ndaj opozitës. Analistë të zhvillimeve politike pohuan për Zërin e Amerikës se arrestimi i zotit Meta është një tjetër mesazh i drejtësisë se nuk do të ketë më në Shqipëri individë të paprekshëm dhe as pasuri tëpaverifikuara.

Shqipëri, arrestohet ish presidenti i Republikës Ilir Meta
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Për ish presidentin e Republikës, Iliri Meta, aktualisht drejtues i Partisë së Lirisë, u zbatua të hënën në mesditë vendimi i SPAK-ut për masën e sigurisë arrest në burg.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi zyrtarisht në mbrëmje se arresti në burg është një ndër masat e sigurisë, pas hetimeve e nisura në vitin 2019 mbi “veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA”, një procedim ky që më pas u bashkua në vitin 2024 me çështjen tjetër të nisur në vitin 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”.

Zoti Meta është person nën hetim i dyshuar për “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” në tre raste, dy nga të cilat në bashkëpunim, për “pastrim të produkteve të veprës penale”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”. Për të njëjtat akuza dyshohet edhe Monika Kryemadhi, nën detyrim paraqitje.

Po ashtu, personi nën hetim Piro Xhixho, tashmë me “arrest në shtëpi” dyshohet për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror.

Ndërsa person nën hetim Ema Çoku, me detyrim paraqitje, dyshohet për “pastrim të produkteve të veprës penale” e kryer në bashkëpunim.

Në njoftim thuhet se janë dokumentuar disa episode ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

Është provuar se ish-ministri i ekonomisë, tregtisë dhe energjitikës, Ilir Meta ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, një kontratë për asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura”, njofton SPAK-u.

Prokuroria e Posaçme theksoi se këto marrëdhënie të ndërlidhura ngushtësisht kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh.

“Hetimet zbuluan se nga posti i ministrit të ësaj fushe Ilir Meta ka kërkuar dhe ka pranuar shuma të konsiderueshme parash nga K. I., duke kryer korrupsionin pasiv”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga posti i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, deputete e Kuvendit në vitin 2014, kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare, detajohet në njoftim.

“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme Meta dhe Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”, thekson SPAK-u.

Ndërsa personi nën hetim Pirro Xhixho, dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP, duke kryer të tre në bashkëpunim “korrupsionin pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë”.

Çifti Meta e Kryemadhi dyshohet se përfituan përkohësisht një vilë, në marrëdhënie korruptive me një biznesmen, si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të bizmesmenit, gjithashtu person nën hetim, madje morën përsipër edhe ndryshimin e një ligji sipas porosive të biznesmenëve M.K. dhe S.M.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se Ilir Meta, ish kryetar i LSI-së në vitet 2016 - 2017, lidhi dhe ekzekutoi kontrata për shërbim konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e LSI-së, ndërsa shuma prej 463.546,26 dollarësh nuk u transferua nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Kjo shumë e fundit nuk është pasqyruar në bilancet e LSI-së të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Pjesë e hetimeve është edhe blerja e një apartamenti nga çifti Meta e Kryemadhi në një zonë pranë qendrës së Tiranës, e deklaruar si financim me kredi bankare.

Hetimi zbuloi se 310 mijë euro për blerjen e katit të parë janë derdhur cash në bankë nga shtetasi F. K., i cili mori kredi 335 mijë euro dhe shleu pjesën e mbetur me para të depozituara në bankë gjatë periudhës mars - nëntor 2010, thuhet në njoftim.

“Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve Meta e Kryemadhi, si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”, thekson SPAK-u.

Nga hetimet doli se Meta e Kryemadhi nuk deklaruar shpenzimet mjekësore prej mbi 106 mijë euro të kryera gjatë viteve 2013 – 2019, pjesa dërrmuese e të cilave rreth 87 mijë euro, janë paguar në cash.

Meta e Kryemadhi nuk kanë deklaruar në maj 2020 në ILDKPI shpenzimet shëndetësore 9 mijë euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit, as edhe 100 mijë euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K., sipas SPAK-ut, duke kryer veprën penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarimi i rremë i pasurive”.

Avokati Genc Gjokutaj u tha mediave pas takimit me të në mjediset e policisë se zotit Meta i ndodhi një rrëmbim banditesk që iu bë në rrugë, ndërkohë që ai ka qenë disa herë në SPAK dhe i gatshëm të bashkëpunojë. Sipas avokatit, zoti Meta është gati të shpjegojë gjithë rrethanat e çështjes, që nuk kanë lidhje me të.

“Mënyra se si u arrestua ishte banditeske: i rrëmbyer në rrugë një ish president dhe një ish kryeministër. Nuk ka patur asnjë lloj problemi për ta thirurr si në SPAK dhe gjithandej”, tha zoti Gjokutaj.

Por policia deklaroi se zoti Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese” në drejtim të përfaqësuesve të policisë dhe drejtësisë, ndaj “është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”.

Policia shtoi se përdorimi i forcës për shoqërimin e tij u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e policisë.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi thotë për Zërin e Amerikës se arrestimi i zotit Meta ishte i pritshëm dhe në të njëjtën kohë është një mesazh që i dërgohet klasës politike.

“Mesazh që nuk mund të ketë më individë të paprekshëm, mesazh që të gjithë politikanët duhet të trajtohen njëjtë edhe kur janë në opozitë, por edhe ata që janë në mazhorancën aktuale. Mesazhi tjetër është që në zgjedhjet e vitit 2025 duhet të kemi të paktën kandidatë me më integritet, me rekorde më të pastërta, qoftë financiare, qoftë me lidhje kriminale”, thotë zoti Krasniqi.

Ai shton se i ngelet drejtësisë për të dëshmuar nëse zoti Meta është apo jo fajtor.

“Është një proces që ka nisur prej vitesh. Është nën hetim për një akuzë, me të cilën nëse sot trajtohen një pjesë e madhe e politikanëve, të paktën një e treta e parlamentit do ta humbiste mandatin”, thotë zoti Krasniqi.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se akti i sotshëm është "një shpallje lufte ndaj opozitës”. Edhe ish kryeministri Sali Berisha komentoi nga arresti shtëpiak, ku gjendet prej disa muajsh si i dyshuar për korrupsion në çështjen Partizani, se arrestimi i zotit Meta ishte një “akt monstruoz” i motivuar politikisht nga Partia Socialiste.

Analisti politik Lutfi Dervishi thotë për Zërin e Amerikës se arrestimi i zotit Meta është dëshmi se SPAK-u nuk heziton të veprojë edhe kur bëhet fjalë politikanë të niveleve të larta.

“Është i dyti ish-President i ndaluar dhe në atë që quhet kultura e pandëshkueshmërisë mund të thuhet që është një hap tjetër me të cilin Prokuroria e Posaçme po dëshmon se nuk ka drojë për të vepruar ndaj personave që kanë qenë në pozicione të larta”, thotë zoti Dervishi.

Ndërsa ende nuk janë bërë të ditura akuzat, analisti Dervishi thotë se arrestimi i zotit Meta do të ketë ndikim tek rrugëtimi i partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Është një goditje për Partinë e Lirisë sepse pa presidentin e saj dhe me fuqinë elektorale që i ka mbetur, ndoshta do ta ketë shumë të vështirë për të sfiduar kundërshtarët në fushatën zgjedhore”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Në mes të qershorit zoti Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.

Ish presidenti Meta ka deklaruar se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, çështje me të cilat është marrë, sipas tij, bashkëshortja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka po ashtu një hetim pasuror nga SPAK-u.

XS
SM
MD
LG