Në Moldavi, votohet sot për dy vendimmarrje të rëndësishme që do të jenë përcaktuese për rrugën drejt Bashkimit Evropian të vendit fqinj me Ukrainën. Moldavët po votojnë në zgjedhjet presidenciale, ku favorite është presidentja aktuale me prirje pro-pëerëndimore, Maia Sandu. Në garë konkurojnë 11 kandidatë. Po sot po mbahet dhe një referendum, për të përfshihet ose jo në Kushtetutë, objektivin e vendit për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Zgjedhjet mbahen mes njoftimeve të vazhdueshme të autoriteteve moldave se Moska ka intensifikuar një fushatë të “luftës hibride” për të destabilizuar vendin dhe për të dëmtuar rrugën e tij drejt BE-së.
Moldavët votojnë sot për zgjedhur presidentin e ri të vendit si dhe mbajnë një referendum që shihen si momente kyçe për të përforcuar përpjekjet e vendit për t'u bërë pjesë e Bashkimin Evropian. Këto zhvillimeve vijnë mes njoftimeve për ndërhyrje ruse në zgjedhje.
Presidentja aktuale Maia Sandu, është favorite për të siguruar një mandat tjetër në një garë presidenciale në të cilën konkurrojnë 11 kandidatë. Po sot po mbahet dhe një referendum, për të përfshirë ose jo në Kushtetutë, objektivin e vendit për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian.
Sipas një sondazhi të kryer nga një institut i pavarur mbi 50 për qind e votuesve mbështesin rrugën evropiane të vendit.
Ndërsa hodhi votën e saj në kryeqytetin e Moldavisë Kishinau, zonja Sandu u bëri thirrje zgjedhësve të marrin pjesë në votime.
“Votova që Moldavia të jetë në gjendje të përparojë në paqe dhe liri, në mënyrë që Moldavia të mund të ndërtojë të ardhmen që dëshiron dhe meriton. Dilni dhe votoni! Çdo votë ka rëndësi. Vota jonë për referendumin do të jetë përcaktuese për fatin tonë, për shumë dekada në vazhdim”, deklaroi ajo.
Rivali i saj kryesor Aleksandr Stoianoglo tha se ai nuk kishte votuar për referendumin.
“Moldavia ka nevojë për një qeveri tjetër, qytetarët e saj duhet të respektohen pavarësisht nga përkatësia etnike, mosha, pikëpamjet politike, apo feja. Unë nuk mora pjesë në referendum. Nuk e mbështes qëndrimin e qeverisë aktuale, e cila ka dalë me një ide që nuk ka lidhje me vetë Bashkimin Evropian. Ky është një referendum për ndryshimin e kushtetutës. Por në të njëjtën kohë, unë jam një përkrahës i aspiratave evropiane të Moldavisë”, deklaroi ai.
Nëse zonja Sandu nuk arrin të fitojë një shumicë të mjaftueshme, balotazhi do të mbahet më 3 nëntor. Pritshmëritë janë që përballë saj të jetë Alexandr Stoianoglo kandidati kryesor i opozitës, një ish-prokuror i përgjithshëm me prirje pro-ruse.
Moldavët i shohin zgjedhjet si një mundësi për përparimin e vendit.
“Pres që ne të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, që ne studentët të përfitojmë, që Moldavia dhe të gjithë banorët e saj të përfitojnë”, thotë një studente.
“Kam votuar për një vend europian, për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, thotë një banore.
Zgjedhjet mbahen mes njoftimeve të vazhdueshme të autoriteteve moldave se Moska ka intensifikuar një fushatë të “luftës hibride” për të destabilizuar vendin dhe për të dëmtuar rrugën e tij drejt BE-së.
Akuzat përfshijnë financimin e grupeve opozitare pro-Moskës, përhapjen e dezinformatave, ndërhyrjen në zgjedhjet lokale dhe mbështetjen e një skeme masive të blerjes së votave.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u bëri jehonë këtyre shqetësimeve këtë javë, duke thënë në një deklaratë se “Rusia po punon në mënyrë aktive për të dëmtuar zgjedhjet në Moldavi dhe integrimin e saj evropian”. Moska ka mohuar vazhdimisht se po ndërhyn në Moldavi.
Ish-republika sovjetike paraqiti kërkesën për t’u anëtarësuar në BE pas agresionit të Rusisë në Ukrainë me 24 shkurt të vitit 2022. Moldavia mori statusin e vendit kandidatit verën e atij viti, së bashku me Ukrainën. Brukseli ra dakord në muajin qershor për të nisur negociatat e anëtarësimit.