Lidhje

Dokumentari anti-ukrainas i reklamuar nga ekstremi i djathtë, i financuar nga Moska


Ben Swann
Ben Swann

Kremlini nuk mund të kishte kërkuar një publicitet më të mirë në një kohë më të mirë se kur Ben Swann, një gazetar që pretendon se është i pavarur dhe që reklamon teori konspirative, publikoi 12 video, që ai premtoi se do të zbulonin të vërteta të errëta rreth presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Videot e shquara të stilit dokumentar të gazetarit Swann ishin të mbushura me aludime, sulme ndaj karakterit të zotit Zelenski dhe komente nga të ftuarit simpatizant të Rusisë në luftën e saj dyvjeçare me Ukrainën.

Dokumentari "Zelenskyy Unmasked", filloi të transmetohej në prill ndërsa Kongresi po debatonte për rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe shpejt tërhoqi vëmendjen e figurave të njohura konservatore në mediat mediat sociale, të cilët e shpërndan projektin për miliona ndjekësit e tyre.

Dokumentari u reklamua edhe nga Donald Trump Jr., djali i madh i ish-presidentit republikan.

“A jeni kurioz për miliarda dollarët dhe armët që Kongresi i dërgoi Ukrainës?” Trump Jr. postoi në platformat X, Truth Social dhe Threads. "Duhet të shikoni episodin e parë të dokumentarit shpërthyes me 12 pjesë."

Ndryshe nga personalitete të tjera konservatore të medias që muajin e kaluar u tronditën pasi mësuan se videot mund të ishin financuar fshehurazi nga Kremlini, gazetari Ben Swann nuk ka shprehur asnjë shqetësim të tillë. Ai ka punuar për organizatën mediatike shtetërore të Rusisë për vite me radhë, me një nga kompanitë e tij që fitoi miliona dollarë për prodhimin e emisioneve miqësore ndaj Kremlinit.

Prodhimi i dokumentarit "Zelenskyy Unmasked" dhe përhapja e tij virale zbulon se sa gjerësisht po qarkullojnë pikëpamjet e Rusisë në mediat sociale, një prirje që shqetëson zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë të zbulimit amerikane dhe ekspertët e dezinformimit.

Një hetim nga agjencia e lajmeve The Associated Press ofron gjithashtu njohuri mbi botën e errët dhe fitimprurëse të njerëzve me ndikim në politikë, të cilëve nuk u kërkohet të zbulojnë se kush po i paguan, duke ngritur shqetësime për transparencën në sferën kryesisht të parregulluar të mediave sociale.

Gazetari Swann punësoi një firmë dixhitale të marketingut për të publikuar dokumentarin "Zelenskyy Unmasked" dhe të paktën një krijues përmbajtjesh në mediat sociale pranoi se ishte paguar për të shpërndarë dokumentarin.

Paralajmërime të rënda

Njoftimet mbi lidhjen e punës së gazetarit Swann me Rusinë pasojnë paralajmërimet e autoriteteve amerikane në lidhje me kërcënimin e paraqitur nga fushatat ruse të dezinformimit. Përveç minimit të Ukrainës, Kremlini po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale dhe të shkaktojë përçarje në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të Perëndimit, thonë këta zyrtarë.

Zyrtarët amerikanë janë veçanërisht të shqetësuar për përpjekjet e fshehta të Rusisë për të shfrytëzuar amerikanët, që nuk i dijnë faktet, për të përhapur mesazhin e Moskës dhe për të përdorur inteligjencën artificiale për të përshtatur shpejt përmbajtjet e rreme.

Operacionet ruse të ndikimit keqdashës duket se synojnë të rrisin edhe mbështetjen për kandidatin presidencial të republikanëve, Donald Trump, i cili ka kritikuar Ukrainën dhe ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin, thanë zyrtarët.

Ish Presidenti Trump ka mohuar provat mbi operacionet ruse të ndikimit dhe ai dhe shumë nga mbështetësit e tij janë tallur me përpjekjet e qeverisë amerikane për të nxjerrë në pah përpjekjet propagandistike të Kremlinit.

I regjistruar në Departamentin e Drejtësisë

Ben Swann paraqiti dokumentet në Departamentin e Drejtësisë dy vjet më parë për të regjistruar një nga kompanitë e tij si punonjëse të mediave shtetërore ruse. Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Swann tha se e ka mbajtur punët e tij për interesat ruse të ndara nga ato që ai prodhon për audiencën amerikane. Ai e ka thënë se e ka bërë këtë duke operuar dy kompani, njëra që krijon përmbajtje për mediat ruse dhe një tjetër që ofron përmbajtje me gazetari të pavarur, si dokumentari "Zelenskyy Unmasked", për audiencën amerikane.

"Lidhja e vetme është se unë jam pronar i të dyja kompanive", tha gazetari Swann.

Megjithatë, agjencia e lajmeve Associated Press zbuloi se ka patur raste kur dy kompanitë kanë bërë të njejtën punë.

Një pjesë e vogël e të ftuarve në dokumentarin "Zelenskyy Unmasked" u shfaqën edhe në emisionet e kanalit shtetëror rus “RT”, të prodhuara nga gazetari Swann, sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin e Drejtësisë.

Emisionet e gazetarit Swann për audiencën amerikane dhe ato për kanalin “RT” gjithashtu kanë tema të ngjashme. Dokumentari mbi zotin Zelenski, për shembull, i bëri jehonë mesazheve të medias shtetërore ruse se presidenti ukrainas është një autokrat që ka mashtruar Perëndimin për të mbështetur një konflikt që Rusia eventualisht do ta fitojë.

Një ish-gazetar televizioni

Ben Swann, 46 vjeç, ka qenë gazetar televiziv për një kohë të gjatë përpara se të pushohej nga një kanal televiziv në Atlanta në vitin 2018, sepse po përhapte komplotin e pavërtetuar "Pizzagate", që pretendonte se demokratët po rrëmbenin fëmijë për t’i përdorur si skllevër seksi.

Që atëherë ai është bërë i njohur në mediat sociale si një gazetar që pretendon se ka guximin të bëjë pyetje të vështira për tema të rënda, si pretendimet e tij të pabaza se sulmuesi në shkollën “Sandy Hook” nuk veproi i vetëm, vaksina e koronavirusit ishte një skemë përfitimi e kompanive të mëdha farmaceutike dhe Izraeli ishte "pjesëmarrës" në masakrën e 7 tetorit 2023. Ai ka mbështetur edhe organizatat kundër vaksinave.

Ben Swann thotë se ka punuar si korrespondent i kanalit “RT America”, në Amerikë, që ishte pjesë e një media shtetërore ruse, derisa u mbyll pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Zyrtarët e kanalit “RT” më pas e pyetën atë nëse ai donte të prodhonte emisione që do të transmetoheshin jashtë Shteteve të Bashkuara, tha zoti Swann.

“Nuk mund të prodhojë emisione për transmetim në Shtetet e Bashkuara, por nëse këto emisione do të transmetohen jashtë vendit, unë do t'ju ndihmoj t'i prodhoni ato”, tha gazetari Swann në një intervistë në korrik mbi punën e tij për median shtetërore ruse.

Prodhimi i emisioneve për kanalin "RT"

Zoti Swann tha se ai regjistronte 10 emisione në javë duke përdorur studiot e vjetra të kanalit “RT America” në Uashington dhe ai theksoi se ato nuk transmetohen në Shtetet e Bashkuara ose Evropën Perëndimore, megjithëse ato mund të shihen në të gjithë globin në faqen e internetit të kanalit “RT”.

Sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, individët duhet të regjistrohen në Departamentin e Drejtësisë kur merren me punë që lidhen me ndikimin në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe opinionin publik në emër të qeverive të huaja. Mosregjistrimi mund të rezultojë në ngritjen e akuzave penale.

Kompania e gazetarit Ben Swann, “Rebel Media Productions”, u regjistrua për herë të parë në Departamentin e Drejtësisë në gusht të vitit 2022, duke thënë se punonte për kompaninë mëmë “RT” dhe entitete të lidhura me atë. Të dhënat publike tregojnë se kompania “Rebel Media Productions” është paguar më shumë se 6 milionë dollarë në më pak se dy vjet nga entitete të lidhura me kanalin “RT”.

Ben Swann
Ben Swann

“RT”, e njohur më parë si “Russia Today” (Rusia Sot), është një platform e madhe në operacionet propagandistike të Rusisë dhe një objektiv i përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të bllokuar ndikimin e fshehtë të Moskës.

Departamenti i Drejtësisë ka thënë se “RT” ka lidhje me agjencitë ruse të zbulimit, ndërsa së fundmi njoftoi sanksione të reja ndaj mediave shtetërore ruse. Sanksionet synojnë organizatën mëmë të kanalit “RT”, “TV Novosti”, me të cilën gazetari Swann ka nënshkruar një kontratë për punën e tij të lidhur me Rusinë.

Në shkurt, Ben Swann ndaloi raportimin e punës së kompanisë “Rebel Media” për Rusinë në Departamentin e Drejtësisë, edhe pse kompania e tij vazhdonte të prodhonte emisione për kanalin “RT”.

Gazetari Swann tha se ai e ndërpreu regjistrimin në Departamentin e Drejtësisë sepse avokatët e tij i thanë se kjo nuk ishte e nevojshme, pavarësisht nga puna e vazhdueshme e kompanisë së tij për kanalin “RT”.

Në përgjigje të sanksioneve të fundit, zoti Swann tha se kompania e tij muajin e kaluar ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me kanalin “RT”.

“Ndërsa ne nuk pajtohemi me censurën e gazetarëve tanë, të cilët po bënin punë cilësore në emër të klientit tonë, ne do të vazhdojmë të respektojmë ligjin”, tha zoti Swann përmes një deklarate.

Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të bënte komente për këtë çështje.

"Ata nuk e pëlqejnë Zelenskin"

Ben Swann tha se ai krijon përmbajtje, si dokumentari “Zelenskyy Unmasked” për shikuesit amerikanë përmes një kompanie tjetër, “Truth in Media”.

“Truth in Media”, thotë zoti Swann, nuk është fitimprurëse dhe financohet nga individë të pasur amerikanë, të cilët ai nuk pranoi t'i identifikonte. "Shumica e tyre janë pronarë të kompanive shumë të mëdha", tha ai.

Gazetari Swann tha se pagesat e mëdha që ai mori nga media shtetërore ruse nuk kishin ndikuar në punën e tij për dokumentarin "Zelenskyy Unmasked", por ai pranoi se udhëheqësve të Rusisë ndoshta u pëlqente qëndrimi i ashpër i dokumentarit ndaj presidentit të Ukrainës.

“Nuk e di, supozoj se ata nuk e pëlqejnë Zelenskin”, tha zoti Swann.

Shumë nga të ftuarit e intervistuar në dokumentarin “Zelenskyy Unmasked” kanë qenë punonjës të paguar dhe të ftuar në emisionet e kanalit “RT”.

Mes tyre ka qenë edhe punonjësja e kanalit “RT”, Tara Reade, e cila u transferua për pak kohë në Moskë pasi akuzoi Presidentin Joe Biden për sulm ndaj saj në vitet 1990; ish-diplomati ukrainas Andrii Telizhenko, i cili u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit për akuzat se kishte lidhje të ngushta me një “rrjet të ndikimit të huaj të lidhur me Rusinë” dhe Russell Bentley, një shtetas amerikan i njohur se ka luftuar me separatistët e mbështetur nga Kremlini dhe ka punuar për mediat shtetërore ruse, i cili vdiq në fillim të këtij viti në Ukrainë.

Scott Ritter
Scott Ritter

Një tjetër i ftuar që është shfaqur në emisionet e kanalit “RT” dhe në dokumentarin për Zelenskin është Scott Ritter, një ish-inspektor armësh i OKB-së simpatizant i Rusisë, shtëpia e të cilit u bastis në gusht nga FBI-ja. Zoti Ritter tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se agjentët e FBI-së në pyetjet e tyre e bënë të qartë se ata po hetonin punën e tij të lidhur me Rusinë, por nuk pyetën në mënyrë specifike për punën e tij me gazetarin Swann.

Zoti Ritter tha se në një ftesë me email që mori për të marrë pjesë në dokumentarin "Zelenskyy Unmasked" thuhej se producenti ekzekutiv i tij ishte Sean Stone, drejtues i një emisioni të kanalit “RT” dhe djali i regjisorit Oliver Stone.

Sean Stone nuk iu përgjigj kërkesave për koment dhe Ben Swann nuk iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me përfshirjen e zotit Stone në dokumentarin për Zelenskin.

Gazetari Swann tha se kompania e tij e lidhur me kanalin “RT” kishte përcjellë detajet e kontaktit të të ftuarve në biznesin e tij që prodhonte dokumentarin "Zelenskyy Unmasked".

Dy kompanitë nuk kanë përdorur personelin e njëra-tjetrës.

“Truth in Media” filloi të reklamonte dokumentarin "Zelenskyy Unmasked" në fillim të këtij viti në faqen e saj të internetit, duke thënë se dokumentari me 12 episode do t’i jepte përgjigje pyetjes se "kush po përfiton vërtetë nga 100 miliardë dollarët që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës".

Në atë kohë, republikanët e ekstremit të djathtë në Kongres po luftonin një propozim për të dërguar më shumë ndihma financiare dhe armë në Ukrainë.

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Turner dhe Kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul, të dy republikanë, thanë se disa ligjvënës republikanë ishin ndikuar shumë nga propaganda ruse.

Ligjvënësi Turner tha në CNN se disa nga ato pika të diskutimit po "shpreheshin në Dhomën e Përfaqësuesve".

Për reklamimin e dokumentarit "Zelenskyy Unmasked", gazetari Ben Swann tha se ai ka paguar platformat e mediave sociale, por beson se shfaqja mori rritjen e tij më të konsiderueshme të shikueshmërisë falë reklamimit nga figura të njohura konservatore. Videot e zotit Swann që u postuan në platformën X morën dhjetëra miliona klikime.

Me ndihmën e kompanisë “Bright Data”, agjencia e lajmeve Associated Press identifikoi një grup thelbësor figurash që luajtën rol të rëndësishëm në reklamimin e dokumentarit. Postimet nga këta njerëz u shpërndanë nga të paktën 9,300 llogari të tjera unike në platformën X, që kanë 33 milionë ndjekës gjithsej, sipas një analize të Associated Press mbi të dhënat e dokumentarit "Zelenskyy Unmasked" në platformën X, të përpiluara nga Instituti për Demokraci, Gazetari dhe Qytetari i Universitetit Sirakjuz.

Përhapja e dokumentarit "Zelenskyy Unmasked" nënvizoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm në politikë të individëve me ndikim në internet. Shumë prej tyre veprojnë pothuajse si zëdhënës të fushatave të kandidatëve demokratë dhe republikanë. Ish Presidenti Trump i tha një grupi krijuesish të përmbajtjeve konservatore në internet, me të cilët u takua para debatit të fundit presidencial, se ata “janë më të rëndësishëm se unë”.

Disa prej këtyre individëve reklamuan në internet dokumentarin për Zelenskin, duke përdorur gjuhë identike ose të ngjashme me atë të zotit Swann apo kompanisë “Truth in Media”.

Chaya Raichik, themelues i llogarive të mediave sociale të ekstremit të djathtë “Libs” në TikTok, tha lidhur me dokumentarin në një postim në rrjetin X: “Ku shkuan 100 miliardë dollarë të taksapaguesve tanë, që Kongresi i dërgoi në Ukrainë? Për ta kuptuar këtë, shikoni dokumentarin "Zelensky Unmasked!" Raichik nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

"Lista e njerëzve të pasur dhe të fuqishëm që përfitojnë nga lufta në Ukrainë përfshin Presidentin Biden dhe djalin e tij, por ata nuk janë të vetmit", thuhej në postimin e kompanisë “Truth in Media” në platfromën X për episodin e tretë të dokumentarit.

Dokumentari mbi Zelenskin u reklamua edhe nga C.J. Pearson, bashkëkryetar i Këshillit Rinor të Komitetit Kombëtar Republikan,

ish-avokatja e fushatës së zotit Trump, Jenna Ellis, Morgonn McMichael, i lidhur me organizatën politike “Talking Points USA” dhe Andrew Giuliani, djali i ish-avokatit të zotit Trump, Rudy Giuliani. Ellis, McMichael dhe Giuliani nuk iu përgjigjën kërkesave të Associated Press për koment.

Xaviaer DuRousseau, një tjetër anëtar i Këshillit Rinor të Komitetit Kombëtar Republikan, tha se ai ishte paguar për të reklamuar dokumentarin "Zelenskyy Unmasked" në rrjetin social X përmes firmës “Urban Legend”, të udhëhequr nga një ish-punonjës i administratës së Presidentit Trump.

DuRousseau nuk pranoi të tregonte se sa ishte paguar, por tha se nuk e dinte që gazetari Ben Swann punonte për mediat shtetërore ruse dhe tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se do të shqyrtonte me kujdes bashkëpunimin me këtë gazetar në të ardhmen.

Ndër reklamuesit më me ndikim të dokumentarit të gazetarit Swann ishte djali i ish-presidentit, Trump Jr., i cili nuk iu përgjigj kërkesave për koment të agjencisë së lajmeve Associated Press. Në një postim në rrjetin social X më 5 prill, Trump Jr. e përshëndeti dokumentarin për ekspozimin e "të vërtetës mbi luftën në Ukrainë!"

Përdoruesit e platformës së mediave sociale shtuan një shënim, që vuri në dukje lidhjet e gazetarit Ben Swann me Rusinë dhe thanë se pretendimet e tij "ka të ngjarë të jenë dezinformata".

Paralajmërimi nuk e frenoi djalin e ish Presidentit Trump, i cili disa ditë më vonë postoi sërish në rrjetin social X, duke lavdëruar punën e gazetarit Ben Swann.

XS
SM
MD
LG