Ushtria izraelite tha të enjten se po analizon provat për të konfirmuar dyshimet se udhëheqësi politik i Hamasit, Yahya Sinwar është vrarë gjatë një sulmi ajror në një shkollë në Gaza, ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur. Sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, në këtë sulm ishin vrarë të paktën 15 njerëz, përfshirë pesë fëmijë.
Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se tre militantë u vranë gjatë operacioneve në Gaza, pa dhënë hollësi të tjera për zonat ku ishin kryer këto sulme. Në deklaratë thuhet se identitetet e tre të vrarëve ende nuk janë konfirmuar, por po "hetohej rreth mundësisë" që një nga të tre të vrarët të jetë Yahya Sinwar.
Yahya Sinwar ishte një nga arkitektët kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe Izraeli ishte zotuar se do ta vriste atë që në fillim të fushatës së tij hakmarrëse në Rripin e Gazës. Gjatë gjithë luftës Izrael-Hamas, Yahya Sinwar ka vepruar në fshehtësi.
Për shumë vite Sinwar ishte një nga figurat kryesore të Hamasit dhe u zgjodh si udhëheqës i saj kryesor pas vrasjes së Ismael Haniyehit në korrik nga një sulm izraelit në Teheran. Izraeli ka pohuar gjithashtu se ka vrarë edhe kreun e krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif në një sulm ajror, por Hamasi ka thënë se ai i mbijetoi sulmit izraelit.
Njoftimi vjen ndërsa forcat izraelite vazhdojnë një sulm të madh ajror dhe tokësor, që e nisën një javë më parë në kampin e refugjatëve Xhabalija në Gazën veriore, në kuadër të të cilit u godit shkolla “Abu Hussein” të enjten.
Fares Abu Hamza, kreu i njësisë lokale të urgjencës në Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza, konfirmoi numrin e të vrarëve nga sulmi dhe tha se dhjetëra njerëz të tjerë ishin plagosur. Ai tha se spitali “Kamal Adwan”, që ndodhet pranë zonës ku po zhvillohen luftimet, po ndeshet me vështirësi në trajtimin e të plagosurve.
“Shumë gra dhe fëmijë janë në gjendje kritike”, tha ai.
Ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmit ishte një qendër komandimi e drejtuar nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik brenda shkollës. Zyrtarët e ushtrisë izraelite publikuan një listë me dhjetëra emra të njerëzve që u identifikuan si militantë, të cilët ishin të pranishëm kur u bë sulmi. Nuk ishte e mundur menjëherë të verifikoheshin emrat që figuronin në këtë listë.
Izraeli ka goditur vazhdimisht kampet e refugjatëve dhe shkollat që strehojnë personat e zhvendosur në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite thotë se kryen sulme të sakta ndaj militantëve dhe përpiqet të shmangë viktimat mes civilëve, por në sulmet e saj shpesh vriten gra dhe fëmijë.
Lufta e tanishme në Rripin e Gazës filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe rreth 250 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 42,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake izraelite deri më tani, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.