Lidhje

Kosovë, mbyllet një komunë paralele serbe që shërbente për Skenderajn


Policia e Kosovës tha se ka mbyllur një zyre të paligjshme në veri të vendit që ka shërbyer si komunë paralele serbe për Skënderajn një komunë në Kosovën qendrore.

Policia tha se pas identifikimit të zyrës, prokuroria ka urdhëruar “që provat materiale që gjenden në këtë zyre të sekuestrohen dhe zyra të mbyllet, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen”.

Mbyllja nxiti reagimin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si veprim në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të gjitha marrëveshjet dhe ecurinë e dialogut.

“Ky është autoriteti i dhjetë i Përkohshëm që autoritetet në Prishtinë e mbyllën arbitrarisht dhe ilegalisht, pas mbylljes së tyre në Shtërpcë, Klinë, Istog, Gorazhdevc, Gorë, Mitrovicë, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok”, thuhet në reagim.

Zyra serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se me mbylljen e këtyre institucioneve, që sipas tyre janë baza e formimit të Asociacionit të komunave serbe, po tregon se nuk e ka ndërmend të formojë ndonjëherë Asociacionin dhe të përmbushë detyrimet e tij që rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit.

Gjatë këtij viti autoritetet e Kosovës kanë mbyllur disa komuna paralele të Serbisë që i cilësojnë të paligjshme.

Në fund të muajit gusht autoritetet mbyllën katër komuna paralele në veri të Kosovës që kanë shërbyer për komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, duke nxitur reagimin e Beogradit zyrtar dhe të diplomacisë perëndimore, mes shqetësimeve që veprimet mund të nxisin tensione në veri të vendit.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

XS
SM
MD
LG