BEJRUT – Një sulm ajror izraelit goditi një ndërtesë banimi në pjesën veriore të Libanit të hënën duke shkaktuar vdekjen e të paktën 21 personave, sipas Kryqit të Kuq të Libanit.
Ushtria izraelite nuk e komentoi sulmin dhe mbetet ende e paqartë se cili ishte synimi i tij. Sulmi goditi një ndërtesë të vogël banimi në fshatin Aito, që është në pjesën e vendit të banuar me të krishterë në veri dhe larg prej zonave kryesore të ndikimit të grupit militant Hezbollah në jug dhe lindje të Libanit.
Pamjet filmike të mediave libaneze treguan një sasi të madhe tymi që ngrihej nga fshati në kodër dhe disa makina të shkatërruara pranë ndërtesës të dëmtuar rëndë, ndërkohë që njerëzit po përpiqeshin t’i largonin kufomat nën rrënoja.
Ngjarja ndodhi një ditë pas një sulmi të Hezbollahut me dron ndaj një baze ushtarake në pjesën veriore të Izraelit, si pasojë e të cilit u vranë katër ushtarë – të gjithë 19 vjeçarë – dhe u plagosën rëndë shtatë të tjerë. Ai ishte sulm më i përgjakshëm që grupi militant ka kryer që kur Izraeli e nisi ofensivën tokësore në Liban dy javë më parë.
Të hënën, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi bazën ushtarake dhe ushtarët e lënduar në sulm, duke u zotuar se “do të vazhdojmë të godasim Hezbollahun pa mëshirë në secilën pjesë të Libanit, përfshirë në Bejrut”.
Gjashtëdhjetë e një persona u plagosën në sulmin e të dielës.
Gjatë vitit të fundit, Hezbollahu ka nisur mijëra raketa e dronë në Izrael, duke vrarë mbi 60 persona ndonëse Izraeli i interceptoi shumicën e tyre përmes sistemit të saj mbrojtës raketor. Një pjesë e tyre goditën zona të pabanuara.
Në Liban, që nga tetori i vitit to kaluar, 2,300 persona janë vrarë nga sulmet izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë së Libanit. Mbi një e treta e këtyre vdekjeve u shkaktuan gjatë muajit të fundit.
Hezbollahu, një aleat i Hamasit, është zotuar se do të vazhdojë të sulmojë Izraelin derisa të ketë një armëpushim në Gazë. Izraeli thotë se fushata ndaj Hezbollahut ka për qëllim t’u jap fund sulmeve të këtij grupi për të mundësuar kthimin e izraelitëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre në zonën përgjatë kufirit me Libanin.