Një qark shtetin e pavendosur të Viskonsinit është shumë i rëndësishëm në garën presidenciale mes demokratëve dhe republikanëve, thonë analistët. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, në qarkun Dejn po zhvillohet një fushatë intensive për të siguruar mbështetjen e votuesve të pavendosur ndërsa zgjedhjet e nëntorit po afrojnë.
Shteti i pavendosur i Viskonsinit mund të jetë përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në vitet 2016 dhe 2020, zgjedhjet në këtë shtet u fituan me një epërsi prej më pak se një për qind të votave.
Ndërsa shumica e qarqeve në Viskonsin janë konservatore, Dejn, qarku i dytë më i madh i shtetit, ku ndodhet Universiteti i Viskonsinit, është bastion i demokratëve.
Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris pritet të fitojë në këtë qark, por rëndësi ka numri i votave që ajo do të marrë.
“Nëse ajo siguron një fitore shumë të thellë në qarkun Dejn, votat e këtij qarku mund ta ndihmojnë atë të fitojë gjithë shtetin”, thotë Mike Wagner nga Universiteti i Viskonsinit.
Prania konservatore në këtë qark me rritje të shpejtë mund të shfrytëzohet edhe nga fushata e ish-Presidentit Donald Trump, thotë zoti Wagner.
"Në këtë shtet 20 deri në 40,000 vota mund të përcaktojnë fituesin. Nëse ai mund të sigurojë 3,000 vota në këtë qark, ato mund të jenë e mjaftueshme për të kompensuar humbjet e thella në periferi."
Me synimin për të nxitur një pjesëmarrje të lartë të votuesve në zgjedhjet e nëntorit, si Partia Demokrate ashtu edhe ajo Republikane po modifikojnë mesazhet e tyre për të tërhequr vëmendjen e mbështetësve të tyre këtu në qarkun Dejn.
Drejtuesit e Partisë Demokrate në këtë qark shpresojnë se votuesit nuk do të dëshirojnë të bëhet kthim mbrapa.
"Mbrojtja e demokracisë dhe shëndeti riprodhues janë çështje shumë të rëndësishme", thotë kryetarja e Partisë Demokrate në qarkun Dejn.
Republikanët janë të përqendruar në çështjen e ekonomisë.
“Kemi një zgjedhje mes Donald Trumpit, i cili ka qenë i suksesshëm në çështjet ekonomike si president dhe Kamala Harrisit, e cila së bashku me Joe Bidenin janë një dështim i qartë”, thotë Brian Schimming, kryetar i Partisë Republikane të Viskonsinit.
Demokratët nuk janë dakord me këtë vlerësim.
Shumica e votuesve në qarkun Dejn ka të ngjarë të kenë vendosur tashmë se për kë do të votojnë, thonë studiuesit.
Në mbarë vendin, vetëm 4% e votuesve janë vërtet të pavendosur, sipas një ankete të Universitetit Marquette.
"Disa prej tyre janë të pavendosur, sepse nuk i kushtojnë vëmendje politikës dhe janë të zhgënjyer", thotë John Johnson nga Universiteti Marquette.
Me garën kaq të ngushtë, partitë do të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar mbështetjen e votuesve të pavendosur në qarkun Dejn dhe më gjerë, me shpresën që votat e tyre do t’i ndihmojnë të fitojnë zgjedhjet presidenciale në këtë shtet dhe ndoshta në të gjithë vendin.