Lidhje

Tiranë, Rama dhe Erdogan inaugurojnë Xhaminë e Namazgjasë


Kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në Xhaminë e Namazgjasë
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në Xhaminë e Namazgjasë

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përuruan së bashku të enjten Xhaminë së Namazgjasë në Tiranë. Ndërsa zoti Rama theksoi faktin se me këtë vepër, edhe Komuniteti mysliman, ashtu si dhe komunitetet e tjera fetare do të ketë objektin e tij qendror të kultit, presidenti Erdogan, shfrytëzoi fjalën e tij në ceremoni duke evokuar lidhjet shekullore të Turqisë me Ballkanin, për të përfunduar me akuza të forta ndaj Izraelit për konfliktin në Gazë duke folur për “terrorizëm shtetëror ndaj Palestinës”.

E ngritur mbi një tokë në pronësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë, u financua nga Komiteti për Çështjet Fetare në Turqi dhe fondacioni fetar, Diyanet, të cilët ofruan 30 milionë euro. Punimet kanë kohë që kanë mbaruar, por inaugurimi i Xhamisë u pengua për disa vite. Autoritetet turke i kanë konsideruar drejtuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar, si nën ndikimin e rrjetit të klerikut Fetah Gylen, i cilësuar nga Ankaraja si përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit në vitin 2016.

Në ceremoninë e sotme, drejtuesit e lartë të Komunitetit mysliman shqiptar, nuk ishin të pranishëm. Ky Komunitet u përfaqësua nga Myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, i cili megjithatë nuk pati rol në ceremoninë e cila u mbyll nga një imam turk. Myftiu Teqja mësohet se do të jetë dhe drejtuesi i Xhamisë së Namazgjasë. Ajo parashikohet të administrohet nga një fondacion i drejtuar po nga imami i saj Teqja, por në përbërje të tij do të ketë dhe përfaqësuesë nga Turqia.

Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi harmoninë fetare në Shqipëri, ndërsa duke ju referuar Kuranit, ai përdori citime të një figure të njohur të vendit Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu, një nga arkitektët e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 nga Turqia. “Kjo xhami i jep domethënien e plotë dhe kuptimplotë katrorit të 4 faltoreve të kryeqytetit duke e përmbyllur skicën e këtij flamuri shpirtëror të më në fund shpalosur të identitetit tonë të mbështjellë brenda tij. Flamur që lind Shën Konstandinin, pajton islamin dhe krishterimin, shpall mes feve vëllazërimin, flamur bujar për njerëzimin”, u shpreh zoti Rama i cili e mbylli fjalën e tij duke përmendur “flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit”.

Presidenti turk Erdogan, vuri disa herë në dukje se Xhamia e Namazgjasë është më e madhja në Ballkan, rajon me të cilin, lidhjet e Turqisë datojnë me shekuj, kujtoi ai, duke evokuar të shkuarën e perandorisë osmane. “Xhamia e Namazgjasë, një xhami më e madhja në Ballkan që tashmë do të zërë vendin e saj në kujtimet tona të cilat i kanë rrënjët shumë të thella duke tejkaluar dhe 6 shekuj. Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë e cila në brendësinë e saj mbart, transmeton vlerat që nga tradita për në të ardhmen, integron pra vlerat e tjera të lashtësisë dhe historisë sonë dhe deri tek teknologjia më e re që është përdorur gjatë ndërtimit dhe sidomos, siç e shikoni, serviret shumë bukur arkitektura klasike osmane e cila dominon në Ballkan”.

Menjëherë më pas ai shfrytëzoi sërish rastin për të sulmuar ashpër Izraelin për konfliktin në Gaza duke folur për “gjenocid” dhe “terrorizëm shtetëror që aplikohet në Palestinë’, e duke nënvizuar se “është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, të qëndrojnë kundra”.

Lufta në Gazë u shkaktua nga militantët e udhëhequr nga Hamasi, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, i cili sulmoi një vit më parë, pjesën jugore të Izraelit duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë, si dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Rreth 100 pengje vazhdojnë të jenë në duart e militantëve, një e treta e të cilëve mendohet se kanë vdekur. Ndërkohë numri i përgjithshëm i të vdekurve që prej fillimit të luftës i ka kaluar të 42,000 personat, sipas ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk bën dallim mes viktimave civile dhe militantëve.

XS
SM
MD
LG