Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por kjo mund të ndryshojë nëse Rusia ngadhënjen në Ukrainë dhe inkurajon kësisoj zgjerimin serb.
Kryeministri Kurti, tha se është e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, kryeministri Kurti argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë dhe jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara dhe bisedimet 13 vjeçare të normalizimit të lehtësuara nga Bashkimi Evropian nuk kanë shënuar ndonjë përparim, veçanërisht pas një shkëmbimi zjarri në shtator të vitit të kaluar midis serbëve të maskuar të armatosur dhe policisë së Kosovës, që la pas vetes katër të vrarë.
Paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja kanë shtuar gjithashtu numrin e tyre përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
“Këto 25 vite kanë qenë një çerek shekulli me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha kryeministri Kurti.
Ai foli në misionin diplomatik të Kosovës në Varshavë, kryeqytetin polak. Misioni u hap pasi Polonia dhe Kosova vendosën marrëdhënie konsullore në vitin 2022.
I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të ngadhënjente në Ukrainë, zoti Kurti tha se “me Serbinë si një hegjemon rajonal dhe zgjatim i Rusisë, këto 25 vite paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të pashembullta ne historinë tonë, do të ishin sërish në rrezik”.
Përpjekjet serbe për të ruajtur dominimin ndërsa ish-Jugosllavia u shpërbë në vitet 1990, shkaktuan luftërat më shkatërruese në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, të paktën deri në agresionin rus në Ukrainë me 24 shkurt të vitit 2022.
Kosova ishte një krahinë e Serbisë derisa fushata e bombardimeve 78 ditëshe e NATO-s në vitin 1999 i dha fund një lufte midis forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë etnikë në Kosovë, e cila la pas vetes rreth 13,000 të vrarë kryesisht shqiptarë etnikë dhe i dëboi forcat serbe.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mijëra paqeruajtës ndërkombëtarë janë ende në Kosovë për të ruajtur paqen me Serbinë, nga e cila Kosova u shkëput në vitin 2008.
"Presidenti despotik (Vladimir) Putin do të inkurajohej të vazhdonte më tej me përpjekjet e tij për destabilizimin, aq më tepër nëse ai ndjehet i suksesshëm në Ukrainë", tha kryeministri Kurti. "Unë me të vërtetë nuk dua të besoj se ai mund të fitojë teorikisht. Por, vet fakti që mendon se mund të fitojë është mjaft problematik”.
Kryeministri Kurti vizitoi Poloninë ndërsa vendi i Evropës Qendrore përgatitet të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian 27-anëtarësh në janarin e ardhshëm. Një nga synimet e tij është që Kosova të anëtarësohet në BE, por pesë nga vendet anëtare të bllokut, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia ende nuk e njohin Kosovën.
Kryeministri Kurti vuri në dukje se Spanja në fillim të këtij viti njohu pasaportat e Kosovës.
"Pra, ka hapa të vegjël", tha ai. "Por e dini, këta hapa të vegjël nuk e bëjnë hapin e madh të nevojshëm, që është njohja".
Kosova, ku 90 për qind e popullsisë prej 1.6 milionë banorësh janë shqiptarë, pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare në shkurtin e ardhshëm, një votim që pritet të jetë një provë për zotin Kurti, partia qeverisëse e të cilit fitoi me shumicë në vitin 2021.