Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris vizituan zonat e goditura rëndë nga uragani Helene. Rreth një milion njerëz ende nuk kanë energji elektrike ndërsa numri i vdekjeve sa vjen e rritet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, presidenti amerikan ka ofruar rreth 1 mijë trupa ushtarake për të mbështetur përpjekjet në zonat e goditura rëndë nga stuhia vdekjeprurëse.
Uragani Helene goditi rëndë pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, me vdekje dhe shkatërrime në Xhorxhia, Karolinën e Jugut dhe Karolinën e Veriut, ndërsa kjo e fundit është një shtet fushëbetejë në zgjedhjet e nëntorit.
Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris vizituan të mërkurën zonat e prekura. Presidenti ndaloi në Karolinën e Jugut dhe të Veriut ndërsa zonja Harris vizitoi shtetin e Xhorxhias. Zoti Biden njoftoi dislokimin e rreth 1 mijë trupave ushtarake për të ndihmuar me përpjekjet e rimëkëmbjes.
“Në një moment si ky, ne lëmë mënjanë politikën. Të paktën duhet ta lëmë. Nuk ka demokratë dhe republikanë, por vetëm amerikanë. Detyra jonë është të ndihmojmë sa më shumë njerëz, sa më shpejt dhe sa të mundemi”, tha Presidenti Biden.
Zonja Harris ndaloi në një qendër operacionesh urgjente në Augusta ku falënderoi punonjësit.
“Jam këtu për t'ju falënderuar. E di që këto janë ditë të gjata për ju, kur njerëzit ju shikojnë në sy për t'u bindur se gjithçka do të jetë në rregull. Ndonjëherë jeni të sigurt për këtë dhe në disa raste nuk jeni. Por ju u jepni njerëzve një nivel besimi duke treguar kujdesin për ta me punën tuaj të pandalshme për t’u siguruar që ata të jenë mirë. Puna juaj është një nga detyrat më fisnike që mund të bëjë dikush”, tha zonja Harris.
Banorët dhe ekipet e ndihmave thonë se situata në terren është e zymtë. Qarku Cook u godit rëndë. Zëri i Amerikës bisedoi me Treva Gear e cila drejton një organizatë që ndihmon banorët e qarkut.
“Stuhia tronditi komunitetin tonë. Shumë njerëz ishin pa energji elektrike. Shqetësimi kryesor pas uraganit është mungesa e ushqimeve dhe nevojat elementare”.
Zëri i Amerikës bisedoi me çiftin Erin Derham dhe Matt Van Swol, prindër të tre fëmijëve. Ata jetojnë në Asheville, një zonë rurale në shtetin e Karolinës së Veriut.
“Padyshim që nuk ishim të përgatitur. Askush nuk e kuptoi plotësisht fuqinë e stuhisë që po vinte. Askush nuk u përgatit në të vërtetë”.
Presidenti Biden tha se qeveria është e përkushtuar për t’i ndihmuar banorët dhe se shkatërrimet nga uragani shkonin në disa miliarda dollarë, çka nënkupton një rimëkëmbje të gjatë dhe të vështirë.