Lidhje

Sarrazin: Ka mungesë të vullnetit politik të autoriteteve të Kosovës për të themeluar Asociacionin


I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin tha të mërkurën se autoriteteve në Kosovë u mungon vullneti politik për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, posaçërisht në një kohë kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, gjatë një debati lidhur me angazhimin gjerman gjatë 25 vjetëve të fundit në Kosovë.

Sarrazin: Ka mungesë të vullnetit politik të autoriteteve të Kosovës për Asociacionin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

“Dhe sinqerisht, mund të kuptoj se ky është një debat i nxehtë politik në Kosovë dhe se ndoshta për momentin vullneti politik, veçanërisht përballë zgjedhjeve, nuk është mjaftueshëm i fortë për të vazhduar realisht me këtë edhe për shkak të ngjarjeve në Banjskë dhe shumë gjëra tjera, si dhe frikës rreth asaj se çfarë mund të sjellë ky Asociacion”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ende nuk ka filluar. Në tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra tjetrën për mospërmbushje të marrëveshjes.

Zoti Sarrazin tha se Bashkimi Evropian po ndjek planin e zbatimit të marrëveshjes të arritur në Ohër dhe se sipas tij hapi tjetër është paraqitja e projekt statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dhe, sinqerisht, duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, është një ofertë për Kosovën sepse ka pasur reagime se mund të mos jetë në përputhje plotësisht me Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi thënë në rregull, pra, le të sigurohemi që një proces të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kështu që unë mendoj se është e qartë se ne mund të kemi shumë argumente teorike dhe argumente teknike, projekt statuti e gjëra tjera, por në fund, bëhet fjalë për vullnetin politik për të vazhduar realisht me themelim e Asociacionit”, tha ai.

Donika Emini, hulumtuese dhe eksperte e sigurisë tha se dialogu në Bruskel është rrëmbyer plotësisht dhe nëse nuk ndryshon plotësisht korniza dhe angazhimi i shteteve anëtare, ky proces nuk do të çojë askund. Ajo kritikoi përpjekjet e zyrtarëve perëndimor që të kanalizojnë gjithçka përmes Asociacionit të komunave serbe.

“Ju flisni për viza, çështje krejtësisht teknike. Tajvani e ka atë. Përmendët Asociacioni. Pastaj dialogu dhe plani i rritjes, prapë Asociacioni dhe pastaj ju flisni për procesin e Berlinit, ndoshta Asociacioni. Përpjekja për të vënë gjithçka në deponinë e dialogut të Brukselit po bëhet vërtet e dëmshme për Kosovën. Dhe kjo në thelb çon në të gjitha këto, si mungesa e komunikimit dhe madje në tensionet diplomatike midis vendeve. Nuk mund ta përdorni”, tha ajo.

Publicisti Veton Surroi tha se nuk mund të zbatohet një marrëveshje nëse njëra palë nuk e pranon atë si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

“Letra e rezervimit të zonjushës Bërnabiç, e kryeministres të asaj kohe (Ana) Bërnabiç, i bënte të pazbatueshme 8 nga 11 pikat e marrëveshjes së Ohrit. Dhe nëse keni një letër rezervimi që konteston bazën e marrëveshjes, marrëveshja bëhet e pazbatueshme nga ajo anë”, tha ai.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja pavarësisht që nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për Kosovën dhe Serbisë. Sipas tyre normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor dhe se përparimi në zbatimin e marrëveshjes është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.

XS
SM
MD
LG