Lidhje

Kosovë, për tetë muaj rreth 300 raste të reja me kancerin e gjirit


Një mamograf lëvizës pritet që të qëndrojë nëpër qytetet e Kosovës gjatë muajit tetor, për të mundësuar kontrollet për zbulimin e kancerit të gjirit, i cili është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë.

Kjo veprimtari është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese një mujore mbi kancerin e gjirit, mes shqetësimeve për rritje e rasteve të të prekurve nga kjo sëmundjeje.

Kosovë, për tetë muaj rreth 300 raste të reja me kancerin e gjirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Drejtoresha e Radiologjisë në qendrën Klinike të Kosovës, Shkëndije Nuza thotë për Zërin e Amerikës se ndryshe nga dhjetë vjet më parë shumë zona kanë pajisje për zbulimin e kancerit.

“Shumica e qyteteve i kanë mamografët. Do të thotë mbi 80 për qind e komunave janë me mamografë. Ndërsa këtë vit në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë do t’i mbulojmë kryesisht komunat e veriut dhe disa prej komunave të cilat janë me mungesë të mamografit siç është Vitia, Juniku, Hani i Elezit, Deçan dhe Mamushë”, tha ajo.

Autoritetet shëndetësore po u bëjnë thirrje qytetarëve që të kryejnë kontrolle vazhdimisht meqë zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ofron mundësi më të mëdha për shërimin e saj.

“Kontrolla sa më të shpeshta, të rregullta, vjetore, gjashtë mujore, mamografinë çdo dytin vit janë shumë të rëndësishme për gratë për detektimin e hershëm të kancerit të gjirit”, tha drejtoresha e Radiologjisë, Shkëndije Nuza.

Zyrtarë të klinikës së Onkologjisë i thanë Zërit të Amerikës se që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin shtator janë regjistruar rreth 300 raste të reja me kancerin e gjirit ndërsa deri në fund të vitit ky numër mund të shkojë në mbi 460 raste që është një rritje prej rreth 6 për qind krahasuar me një vit më parë kur janë diagnostifikuar 450 raste të reja.

Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita”, tha se po bëhen përpjekje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit gjithandej Kosovës.

“Keni kujdes për shëndetin tuaj dhe të familjarëve tuaj, bëni vetkontrolla, kotrolla të rregullta mjekësore, bëni ultrazë mamografi sepse zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë. Nëse zbulohet me kohë, kanceri edhe mund të shërohet”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia thotë se ndërgjegjësimi për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit ka dhënë rezultate në këto dy vite.

“Aktualisht mbi 50 për qind e grave të diagnostifikuara me këtë sëmundje janë në stade të hershme, pra në stadin e parë dhe të dytë gjë që tregon për vetëdijesimin e ngritur te gratë por edhe rritë dukshëm mundësitë për një trajtim të suksesshëm në mposhtjen e kësaj sëmundjeje”, tha ai.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat.

XS
SM
MD
LG