Lidhje

SHBA, të paktën 69 vetë humbin jetën, miliona pa energji elektrike nga uragani Helene


Shirat masive nga uragani i fuqishëm Helene kanë lënë njerëz të bllokuar, pa strehë dhe në pritje për t’u shpëtuar, pasi kanë filluar pastrimet nga një stuhi që shkaktoi vdekjen e të paktën 69 vetëve, shkaktoi shkatërrim të gjerë në të gjithë Juglindjen e Shteteve të Bashkuara dhe la pa energji elektrike miliona njerëz.

Helene preku tokën në Shtetet e Bashkuara në Florida si një stuhi e kategorisë 4 të enjten vonë me erëra me shpejtësi 225 kilometra në orë. Nga atje, stuhia u zhvendos me shpejtësi përmes Xhorxhias, ku guvernatori Brian Kemp tha të shtunën se dukej "sikur kishte shpërthyer një bombë" pasi pa në një inspektim nga ajri shtëpitë e shkatërruara dhe autostradat e mbuluara me copëra mbetjesh.

Pasi humbi fuqinë e uraganit, Helene shkaktoi shira të rrëmbyer në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, si edhe Tenesi, duke përmbytur brigjet dhe sforcuar digat.

Qindra vetë të bllokuar nga përmmbytjet janë shpëtuar. Rasti më dramatik ishte ai i një spitali në një pjesë rurale të Tenesisë, ku dhjetëra pacientë dhe personel mjekësor u shpëtuan me helikopter nga çatia e spitalit të premten.

Stuhia, që tani është zbutur duke u shndërruar në një ciklon post-tropikal, pritej të përshkonte Luginën e Tenesisë të shtunën dhe të dielën, tha Qendra Kombëtare e Uraganeve. Ajo shkaktoi përmbytjet më të rënda prej një shekulli në Karolinën e Veriut. Shira të dendur ranë edhe në Atlanta për 48 orë me radhë.

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se shkatërrimi nga Helene ka qenë "dërrmues" dhe u zotua të dërgojë ndihma. Ai gjithashtu miratoi një deklaratë për fatkeqësi natyrore për Karolinën e Veriut, duke vënë në dispozicion fondet federale për individët e prekur.

Helene shkaktoi vdekjen e të paktën 25 vetëve në Karolinën e Jugut, duke u bërë cikloni tropikal më vdekjeprurës për shtetin që kur uragani Hugo shkaktoi vdekjen e 35 vetëve në vitin 1989.

Viktima janë raportuar gjithashtu në Florida, Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.

Vlerësimi paraprak nga AccuWeather për dëmin total dhe humbjet ekonomike nga Helene në SHBA është midis 95 dhe 110 miliardë dollarë.

Ndryshimet klimatike kanë krijuar kushtet për stuhi të tilla që intensifikohen me shpejtësi në ujërat që ngrohen dhe shndërrohen në ciklone të fuqishëm ndonjëherë brenda disa orësh.

Helene ishte stuhia e tetë e sezonit të uraganeve në Atlantik, e cila filloi më 1 qershor. Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike ka parashikuar një sezon me aktivitet mbi mesataren këtë vit për shkak të temperaturave rekord të ngrohta të oqeanit.

XS
SM
MD
LG