Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha të hënën se gjatë vitit 2023 vendi ka shënuar rënie në sigurinë e gazetarëve dhe lirisë së shtypit ndërsa janë shënuar 74 raste të sulmeve ndaj punonjësve të mediave.
Këto komente u bënë gjatë prezantimit të raportit vjetor nga ky asociacion lidhur me “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve dhe Indeksin e sigurisë së gazetarëve”.
“Krahasuar me vitin 2022 ku janë raportuar gjithsej 33 raste, numri i sulmeve ndaj gazetarëve është rritur për 41 duke e bërë vitin 2023 me numrin më të lartë të shkeljes së lirisë së medias dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve”, tha Getoarbë Mulliqi drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Sipas raportit, gazetarët që raportuan nga veriu i Kosovës janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale e fizike si dhe me dëmtim të pronës personale dhe profesionale. Po ashtu, thuhet në raport, gjatë vitit 2023 pjesëtarët e partisë në pushtet zhvilluan një fushatë shpifjesh në internet ndaj punonjësve të medias.
Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se autocensura vazhdon të jetë e përhapur mirëpo pluralizmi mediatik i lejon gazetarët që të gjejnë vende të reja pune.
“Gazetarët gra konsiderojnë se kushtet e tyre dhe pozita në dhomën e lajmeve është përmirësuar dhe kanë mundësi ë barabarta në role menaxheriale për dallim me vitet e kaluara mirëpo ato vazhdojnë ende të përballen me sfida në vendet e punës dhe një nga sfidat e identifikuara gjatë vitit 2023 kanë qenë edhe ngacmimet e shpeshta seksuale”, tha ajo.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ashpërsia e kërcënimeve ndaj gazetarëve është rritur megjithëse rastet e raportuara mund të mos përfshijnë plotësisht shtrirjen e kërcënimeve jofizike, ngacmimeve posaçërisht atyre në internet.
Leonita Morina nga ky asociacion tha se përveç kërcënimeve, sulmeve dhe linçimeve, gazetarët përballen me kushte të vështira të punës.
“Paga të ulta, mungesa e kontratave, mungesa e mbulimit të sigurimit shëndetësor janë disa nga sfidat gazetarët janë përballur edhe viteve të kaluara por kanë vazhduar të përballen edhe gjatë vitit 2023. Rreth 25 për qind të gazetarëve kanë kontrata me afat të caktuar dhe shumica e gazetarëve punojnë me kontrata të përkohshme apo punojnë pa kontrata fare. Kontratat e përkohshme nuk ofrojnë siguri në punë dhe nuk ofrojnë sigurim shëndetësor apo benefite tjera që i takojnë punonjësve apo në këtë rast gazetarëve”, tha ajo.
Në raportin e këtij viti të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Kosovo ka shënuar rënie për 19 vende, që shënon kthim prapa dhe përkeqësimin më të rëndë të lirisë së medias në vitet e fundit.
Edhe organizata “Freedom House” në raportin për lirinë e medias tha se “pavarësisht që Kosova ka një mjedis të larmishëm mediatik, në përgjithësi liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar”, duke theksuar se shumë media “hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për qeverinë”.