Lidhje

Hetimi i brendshëm konstaton mangësitë që kontribuan për atentatin ndaj ish-Presidentit Trump


Ronald Rowe, drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, duke folur nga selia e agjencisë në Uashington (20 shtator 2024)
Ronald Rowe, drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, duke folur nga selia e agjencisë në Uashington (20 shtator 2024)

Shërbimi Sekret thotë se mundësia që pati një person i vetëm i armatosur që të qëllojë tetë herë drejt ish-Presidentit Donald Trump gjatë një aktiviteti elektoral në Pensilvani ishte pjesërisht rezultat i dështimeve të shumta nga agjentët që u ishte ngarkuar detyra e mbrojtjes së ish-presidentit.

Raporti për hetimin e brendshëm të kësaj agjencie për atentatin ndaj ish-presidentit, tashmë edhe kandidat republikan për president, identifikoi probleme me komunikimin dhe koordinimin, përpara tubimit të 13 korrikut në qytetin Butler, si dhe mbështetjen e tepruar tek agjencitë partnere të zbatimit të ligjit në nivel shtetëror dhe lokal.

“Nuk mund të heqim dorë nga përgjegjësitë, apo t’ua kalojmë ato të tjerëve”, u tha gazetarëve të premten në Uashington drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret, Ronald Rowe.

“Shërbimi Sekret nuk dha udhëzime të qarta apo orientime partnerëve tanë lokalë të zbatimit të ligjit”, tha ai. “Megjithëse disa anëtarë të ekipit pararojë ishin shumë të përpiktë, pati pakujdesi nga të tjerë, që solli thyerjen e protokolleve të sigurisë”.

Tentativa për vrasje tronditi pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara dhe bëri që drejtorja e atëhershme e Shërbimit Sekret të jepte dorëheqjen.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë thënë se atentati u bë nga 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, i cili veproi i vetëm dhe që e konsideroi në mënyrë të papritur ish-presidentin si një objektiv të mundshëm.

Pavarësisht pranisë së truprojave që mbronin ish-Presidentin Trump, ekipeve pararojë të dislokuara dhe njësive lokale të zbatimit të ligjit, i dyshuari Crooks arriti të ngjitej në një ndërtesë me pamje nga tubimi dhe të pozicionohej me një pushkë të llojit AR, përpara se të zbulohej.

Të shtënat plagosën ish-Presidentin Trump dhe dy pjesëmarrës në tubim, si dhe vranë një të tretë.

Raporti i Shërbimit Sekret i publikuar të premten fokusohet në atë që agjencia e përshkruan si "mangësi komunikimi" në tubim, duke fajësuar agjentët se dështuan të merrnin masat që vendi dhe zonat përreth - përfshirë çatinë e ndërtesës në afërsi - të ishin të siguruara siç duhet.

Zoti Rowe tha se ndërkohë që pati diskutime me organet e zbatimit të ligjit në veçanti në lidhje me ndërtesën në fjalë, nuk pati biseda të mëvonshme për t'u siguruar që ekzistonte mbrojtja e duhur.

“Duhet të ishim më të drejtpërdrejtë”, tha ai. "U supozua se ishin marrë masat për atë godinë, por qartësisht nuk pati ndjekje në vazhdimësi për t'u siguruar për këtë gjë".

Probleme të tjera përfshinin dështimin e Shërbimit Sekret për t'u siguruar që agjencitë lokale të zbatimit të ligjit të dinin se si të komunikonin me agjentët në terren. Për pasojë, truprojat e ish-Presidentit Trump nuk u informuan për kërkimet që po bëheshin për një person të dyshimtë.

Po të kishin qenë në dijeni, ata mund të kishin marrë një vendim për zhvendosjen e ish-presidentit në një vend më të sigurt.

Ferma Butler ku mbahej tubimi gjatë të cilit u plagos ish-Presidenti Donald Trump më 13 korrik 2024. Majtas godinat ku gjendej atentatori.
Ferma Butler ku mbahej tubimi gjatë të cilit u plagos ish-Presidenti Donald Trump më 13 korrik 2024. Majtas godinat ku gjendej atentatori.

Zoti Rowe u tha gazetarëve se personeli i Shërbimit Sekret që ka përgjegjësinë për mangësitë në fjalë, do të mbahet përgjegjës, por ai mohoi njoftimet se disave iu kërkua të jepnin dorëheqjen.

“Kjo agjenci zbaton disa nga ndëshkimet më të fuqishme, në tërësinë e qeverisë federale dhe këto dënime do të administrohen sipas procesit tonë disiplinor”, tha ai.

Publikimi i raportit të Shërbimit Sekret vjen më pak se një javë pas asaj që zyrtarët e kanë përshkruar si një atentat të dytë të mundshëm ndaj ish-Presidentit Trump.

Oficerët e zyrës së sherifit në Florida arrestuan 58-vjeçarin Ryan Wesley Routh, duke e ndaluar atë në një autostradë kryesore të dielën, rreth një orë pasi ai u largua nga Klubi Ndërkombëtar i Golfit Trump, në West Palm Beach.

Zyrtarët thanë se të dhënat e mbledhura nga celulari i zotit Routh treguan se ai qëndroi në pritë për 12 orë, duke u fshehur në shkurret përgjatë gardhit rrethues, ndërmjet pistës numër pesë dhe shtatë të fushës së golfit, me një pushkë të llojit SKS.

Zoti Routh u largua pa arritur të qëllojë asnjëherë, pasi një anëtar i ekipit pararojë të Shërbimit Sekret, vuri re pushkën e tij që dilte nga shkurret dhe qëlloi drejt tij disa herë.

Reagimi i agjentit "është saktësisht ajo për të cilën jemi stërvitur dhe pikërisht ajo që duam të bëjë personeli ynë", tha zoti Rowe të premten. “Ai identifikoi rrezikun, një individ me armë të gjatë, mori vendime të shpejta dhe ndërmori një veprim të shpejtë për ta shmangur rrezikun”.

Zoti Rowe tha gjithashtu se që nga atentati i 13 korrikut ndaj ish-Presidentit Trump, Shërbimi Sekret i ka siguruar atij dhe kandidates demokrate për presidente, Nënpresidentes Kamala Harris, të njëjtin nivel mbrojtjeje si Presidentit Joe Biden.

Ai tha gjithashtu se që kur ish-Presidenti Trump u largua nga detyra, ekipet e tij të sigurisë kanë qenë "më të përforcuar se për ish-presidentët e mëparshëm".

Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret tha se nivelet e rritura të sigurisë po vijnë me një kosto, duke u kërkuar ligjvënësve amerikanë më shumë fonde dhe personel.

"Kemi burime të kufizuara", u tha zoti Rowe gazetarëve. "Harxhojmë shumë mjete dhe burime".

"Tashmë po i përdorim këto burime në maksimum".

XS
SM
MD
LG