Lidhje

Ish-Presidenti Trump dhe planet e tij me ‘Truth Social’


 The Nasdaq Market site is seen in New York
The Nasdaq Market site is seen in New York

Pavarësisht debatin rreth asaj se sa i pasur është ish-Presidenti Donald Trump, një gjë është e sigurt: aksionet që zotëron në kompaninë ‘Trump Media & Technology Group’ (TMTG) e bëjnë atë miliarder.

Kompania që qëndron pas platformës sociale ‘Truth Social’ vlen më shumë se 3 miliardë dollarë në ‘Wall Street’ dhe zoti Trump zotëron më shumë se gjysmën e saj.

Deri më tani, zoti Trump dhe të tjerë persona brenda kompanisë e njohur si ‘TMTG’, nuk kanë qenë në gjendje të fitojnë para për shkak të një marrëveshjeje kontraktuale me dispozita kufizuese që parandalon personat e brendshëm të një kompanie që të shesin aksionet e tyre për një periudhë të caktuar kohore. Në rastin e ‘TMTG-së’që prej daljes së saj në bursë në muajin mars.

Periudha kufizuese përfundoi këtë të enjte. Por nëse shet aksione, zoti Trump rrezikon t'u dërgojë një sinjal negativ aksionarëve të tjerë duke i nxitur ata të shesin aksionet e tyre. Tani për tani, zoti Trump thotë se nuk ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Zhvillimet më të fundit

Prej së enjtes zoti Trump është i lirë të shesë aksionet e tij të ‘TMTG-së’ për sa kohë që ato nuk tregtohen nën 12 dollarë. Të martën aksionet e kompanisë tregtoheshin në vlerën e 16,14 dollarëve.

Zoti Trump e nënshkroi marrëveshjen që përmbante një periudhë kufizuese në mars, kur ‘TMTG-ja’ u bashkua me një kompani të regjistruar në parajsë fiskale, të quajtur ‘Digital World Acquisition Corp’, duke u futur në tregun e aksioneve ‘Nasdaq’.

‘TMTG-ja’ nuk drejtohet nga zoti Trump. Drejtor ekzekutiv i saj është Devin Nunes, një ish-ligjvënës republikan nga Kalifornia. Por është zoti Trump faktori tërheqës më i madh për ndjekësit e rrjetin social ‘Truth Social’, falë postimeve të tij.

Zoti Trump zotëron 57.3% të të gjitha aksioneve të kompanisë. Bazuar në vlerën totale në treg prej 3.23 miliardë dollarësh të kompanisë, aksionet e tij vlejnë 1.85 miliardë dollarë.

Çfarë është ‘Truth Social’?

Zoti Trump themeloi kompaninë e medias sociale ‘Truth Social’, në shkurt të vitit 2022, pasi u ndalua të postonte e të kishte llogari në rrjetet kryesore sociale si ‘Facebook-u’ dhe platforma e njohur më parë si ‘Twitter’ pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Por që nga ajo kohë, ai është rikthyer tek të dyja platformat - dhe është mbështetur nga pronari i kompanisë ‘X’, Elon Musk. Megjithatë zoti Trump poston kryesisht në platformën e tij.

Ndërsa për të tërhequr një audiencë të gjerë, ‘Truth Social’ u përpoq të përfitonte nga zemërimi i krijuar për shkak të ndalimit të zotit Trump për të postuar në media të tjera sociale, njësoj si platformat e tjera me prirje të djathtë si ‘Gettr’ dhe ‘Parler’, ‘Truth Social’, nuk ka qenë në gjendje të depërtojnë shumë përtej audiencës konservatore.

‘Truth Social’ reklamohet si kundërpërgjigja për aplikacionet kryesore të mediave sociale, për të cilat zoti Trump dhe mbështetësit e tij thonë se diskriminojnë pikëpamjet e tyre dhe kufizojnë lirinë e shprehjes, thotë Roxana Muenster, një studente doktorature në Universitetin Cornell, e cila studion të djathtën ekstreme dhe komunikimin dixhital.

Audienca e tij, shton ajo, është kryesisht baza e lëvizjes ‘MAGA’ të zotit Trump.

"Ka gjithashtu shumë gjuhë urrejtjeje dhe ekstremizëm në platformë, për shkak të qasjes së tyre të dobët për të kontrolluar përmbajtjen", shton ajo.

Si pjesë e një marrëveshjeje që do të zgjasë deri në shkurt 2025, zoti Trump ka rënë dakord të presë gjashtë orë pas postimit në ‘Truth Social’ përpara se të bëjë një postim “jopolitik" në platformat e tjera të mediave sociale.

Megjithatë, kjo i takon vetëm ish-presidentit dhe siç thuhet në dokumentacionin e kompanisë "në cilësinë e kandidatit për president, shumica ose të gjitha postimet e Presidentit Trump në mediat sociale, mund të konsiderohen nga ai, si politike".

Si fiton para ‘TMTG-ja’?

Dokumentacioni i kompanisë tregon se të gjitha të ardhurat e saj sigurohen nga reklamat. Por këto të ardhura janë të vogla –vetëm 836,900 dollarë në tremujorin më të fundit, ose 30% më pak nga 1.2 milionë dollarë një vit më parë. Për periudhën tre mujore që përfundoi më 30 qershor, kompania shënoi një humbje prej 16.4 milionë dollarësh. Rreth gjysma e tyre ishin shpenzime ligjore për shkak të bashkimin e saj me kompaninë ‘Digital World’.

Në tremujorin e fundit, ‘Trump Media’ tha se kishte harxhuar edhe 3.1 milionë dollarë për konsulencë teknologjike dhe licencim të programeve kompjuterike, kryesisht të lidhura me marrëveshjen e licencimit për të fuqizuar shërbimin e ri të transmetimit televiziv të quajtur ‘Truth+’.

Ndryshe nga platformat më të zakonshme të mediave sociale, ‘Truth Social’ nuk publikon informacione në lidhje me ecurinë e kompanisë, sikurse ata që regjistrohen në platformë apo të ardhurat mesatare për përdorues. Kjo mund ta bëjë më sfiduese për investitorët që të mësojnë mbi ecurinë e kompanisë.

Vlera e aksioneve në pjesën më të madhe ka qenë e ulët.

Pas tregtimit në bursë në një vlerë prej 60 dollarë në mars, vlera e aksioeneve ka rënë në 16 dollarë.

Çmimi i një aksioni supozohet të rritet dhe të ulet në varësi të perspektivës për të fituar para të kompanisë, por kritikët thonë se aksionet e ‘TMTG-së’ kanë prirje të ndryshojë në raport me pritshmëritë e aksionerëve, mbi shanset për rizgjedhje të zotit Trump.

Vlera e aksioneve ka qenë tepër e paqëndrueshme në bursë. Që nga fillimi i prillit është rritur ose ka rënë më shumë se 10%.

Në një konferencë për shtyp pak ditë më parë, zoti Trump sugjeroi se kjo mund të jetë për shkak të frikës se ai mund shiste aksionet.

"Do të ndryshonte situata po të largohesha unë", tha ai.

Por a është kjo një frikë legjitime?

Tregu i aksioneve funksionon në bazë të ofertës dhe kërkesën, dhe nëse shumë aksionere do të donin t’i shisnin ato, kjo me gjasë do të ndihmonte në uljen e çmimit të tij.

Megjithatë, zoti Trump është një faktor tërheqës i madh për vetë aksionet e ‘TMTG-së’.

Zoti Trump ka thënë se nuk do t’i shesë aksionet me hiqjen e periudhës kufizuese, duke shtuar se nuk ka nevojë për para.

"Jo, nuk do t’i shes, e dua (këtë kompani) e përdor atë si një mënyrë për të thënë fjalën time”, tha ai.

Por nëse vendoste ta bente një gjë të tillë ai do të ishte i detyruar ta thoshte.

Investitorët e mëdhenj që zotërojnë më shumë se 10% të një kompanie duhet të raportojnë brenda dy ditësh nëse vendosin të shesin aksionet e tyre, tek Komisioni që Mbikëqyr Tregun e Aksioneve (SEC).

XS
SM
MD
LG