Në Shqipëri të dhënat e Censit të vitit 2023, puplikuar kohët e fundit, dëshmojnë për një rënie të ndjeshme të numrit të banorëve, një pjesë e madhe për shkak të nivelit të lartë të emigracionit. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar rreth 195 mijë persona. Një nga zonat më të prekura është edhe Malësia e Madhe. Studiuesi shqiptaro- amerikan Lulash Palushaj paraqiti në Malësi të Madhe librin e tij të fundit kushtuar plagës së emigracionit në këtë zonë.
Studiuesi dhe shkrimtari shqiptaro-amerikan Lulash Palushaj, autor i 15 librave, që i kushtohen historisë dhe traditave të Malësisë së Madhe, paraqiti sot përpara studiuesve dhe autoriteteve nga Malësia e Madhe, këndej dhe andej kufirit të sotëm shtetëror, librin e tij të fundit “Ku vojte o Malësi e Madhe, ka vete o shqiptar ”, kushtuar asaj që ai e quan plaga më e madhe e malësorëve, emigracioni.
“Plaga më e madhe është se kemi lënë ato pleq nëpër shtëpija të zbrazura. Plaga më e rëndë është lotët që derdhin pleqtë se ku i kanë njerëzit e shtëpisë. Se nuk mund të ketë shtëpi pa njerëz dhe njerëz pa vendlindjen e vet. Kjo është më e rëndësishmja që unë kam pasqyruar në këtë vepër”, tregon ai.
Për nënkryetarin e Bashkisë “Malësi e Madhe”, Sytki Ndreca, studiuesi Palushaj ka arritur të prekë një ndër problemet më kryesore që vazhdon të ketë Malësia e Madhe.
“ Ikja dhe emigrimi jashtë territorit të Malësisë së Madhe, por edhe jashtë Shqipërisë, në emigracion, në diasporë, ka marrë një përmasë të madhe, ç’ka është shumë e frikshme”, thotë ai.
Nënkryetari i bashkisë thotë se të dhënat e fundit, të publikuara nga censusi i popullsisë dhe banesave, dëshmojnë edhe përmasat e largimit të banorëve nga Malësia e Madhe, si drejt emigracionit, ashtu edhe zonave të tjera në brendësi të vendit.
Sipas census-it të vitit 2023 Malësia e Madhe ka 21640 banorë ose më pak se 15 mijë banorë në krahasim me vitin 2011 dhe rreth 32 mijë më pak se regjistrimi i vitit 1991.
Pjesëmarrësit nga shqiptarët në Mal të Zi theksuan gjatë takimit se tema e emigrimit është shqetësuese për malësorët që jetojnë në të dy anët e kufirit dhe se trajtimi i kësaj teme ka të bëjë me nevojën e ndalimit të shpopullimit të trojeve shqiptare.
“Kjo temë përbën një fenomen shqetësues edhe për Lulashin se edhe ai vetë po e jeton emigracionin në SHBA. Pothuajse në shumicën e veprave të tij ai trajton këtë fat të hidhun të malësorëve, si andej, si këndej kufirit”, thotë Rrok Gjolaj. këshilltarë në Minsitrinë e Arsimit në Mal të Zi.
Shqipëria, thotë Lulash Palushaj, ka potenciale natyrore dhe ekonomike për të mbajtur në vendin e vet shqiptarët, por është e nevojshme të nxitet punësimi dhe të përdoren të mirat natyrore në dobi të zhvillimit.
Poetja Mimoza Rexhvelaj, banore e Malësisë së Madhe, thotë se tashmë në malësi ka fshatra që kanë mbetur bosh për shkak të braktisjes dhe largimit të banorëve drejt emigrimit, kryesisht në Amerikë dhe Angli. Ndaj, libri i fundit i Lulash Palushajt, thotë ajo, është një klithëm për ndryshimin e këtij realiteti.
“Klithma dhe ulurima në fakt, që bën professor Palushaj në librin e tij, është kthehuni në atdhe, kthehuni tek pragu, kthehuni tek familja, tek nëna, tek baba që ju presin”.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, nga viti 2011 deri në vitin 2023, Shqipëria ka rreth 600 mijë banorë më pak. Ndërsa brenda një periudhe 5 vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2022, nga Shqipëria janë larguar 194.900 persona, me një mesatare prej rreth 39 mijë personash në vit.