Lidhje

Gjermani: Arrestohet një sirian nën dyshimet se planifikonte të vriste ushtarë gjermanë


Autoritetet gjermane thanë të premten se është arrestuar një ekstremist i dyshuar islamik në lidhje me planifikimin e një sulmi ndaj ushtarëve gjermanë gjatë pushimit të tyre të drekës në Munih. Sipas autoriteteve ai synonte të vriste sa më shumë ushtarë për të shkaktuar një ndjenjë sa më të gjerë pasigurie në mesin e popullatës.

Sipas prokurorit publik të Munihut, 27-vjeçar sirian është një mbështetës i dyshuar i ideologjisë radikale islamike. Ai tha se i dyshuari bleu dy hanxharë, secili rreth 40 centimetra i gjatë në fillim të këtij muaji dhe dyshohet se kishte planifikuar të sulmonte ushtarët me ta.

I dyshuari u dërgua para një gjykate të premten pas arrestimit të tij një ditë më parë, tha zyra e prokurorit. Emri i tij nuk u publikua në përputhje me rregullat gjermane për privatësinë.

Arrestimi pasoi sulmin e 23 gushtit në Solingen që la të vdekur tre persona dhe tetë të plagosur. Një i dyshuar sirian 26-vjeçar është arrestuar në lidhje me sulmin. Ai ishte një strehimkërkues që duhej të deportohej në Bullgari vitin e kaluar, por thuhet se u zhduk për njëfarë kohe dhe iu shmang dëbimit. Grupi militant Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, por pa dhënë prova.

Dhuna e la Gjermaninë të tronditur dhe e vuri çështjen e imigracionit në krye të agjendës politike të vendit. Në përgjigje, ministria e Brendshme zgjeroi kontrollet e përkohshme kufitare në të nëntë kufijtë e saj këtë javë. Kontrollet pritet te zgjasin gjashtë muaj dhe po kërcënojnë të sprovojnë unitetin evropian.

XS
SM
MD
LG