Presidenti izraelit Isaac Herzog, ishte sot në vizitën e parë të një kreu të shtett të Izraelit në Shqipëri, ku ai u prit nga autoritetet më të larta të vendit. Situata e krijuar që pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit zuri një vend qëndror në bisedimet e presidentit Herzog në Tiranë. Kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj u shpreh se Shqipëria “mirëpret lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve” duke përsëritur thirrjen që “ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë. Ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile”, u shpreh ai.
Edhe kryeministri Rama po ashtu nënvizoi se “Shqipëria ka qenë një mbështetëse mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekjeje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithëve njerëzve”.
Presidenti Herzog, vuri në duke se vendi i tij po lufton “në të njëjtën kohë, më shumë sesa një armik terrorist. Dhe në fakt hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij mizor antisemit në shkatërrimin e shtetit të Izraelit”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se “Shqipëria e njeh mjaft mirë këtë vend radikal”, duke ju referuar vendimit të qeverisë shqiptare dy vjet më parë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, të cilin e akuzoi se qëndronte pas sulmeve masive kibernetike që kishin goditur më herët sistemet e saj të teknologjisë së informacionit.
Kreu i shtetit të Izraelit vlerësoi faktin se “Shqipëria, në mënyrë të palëkundur, është rreshtuar në anën e duhur të historisë” dhe se “ka treguar edhe një herë që qëndron krahë popullit izraelit”, u shpreh ai duke evokuar më pas mbështetjen që hebrenjtë gjetën në Shqipëri gjatë Luftës ë Dytë botërore. “Hebrenjtë e mbarë Europës gjetën strehë në Shqipëri gjatë Holokaustit që është një dëshmi e traditës etike të rrënjosur thellë të shqiptarëve të çdo besimi fetar dhe shpirtit të jashtëzakonshëm të popullit shqiptar”, vuri në dukje presidenti Herzog, gjatë një deklarate të përbashkët shtypi me kryeministrin Edi Rama në fund të takimit mes tyre.
Për zotin Rama, kjo “është një lidhje historie që gjithmonë kemi qenë dhe do të jemi të prirur ta forcojmë”, tha ai duke shtuar më pas se “jemi këtu krahëhapur për të mirëpritur të gjithë izraelitët që duan të vijnë, qofshin turistë a sipërmarrës, artistë, shkrimtare, qofshin njerëz që merren me teknologji të lartë apo qoftë dhe ata në moshë më të vjetër që duan të kenë shtëpinë e tyre këtu në zemër të Europës”.