Lidhje

SHBA, dy të arrestuar për terrorizëm; nxisnin sulme në Telegram


UASHINGTON – Dy persona për të cilët prokurorët thonë se ishin të motivuar nga ideologjia e supremacisë së bardhë, u arrestuan me akuza se përdorën aplikacionin e mesazheve të medias sociale Telegram për të inkurajuar krime urrejtjeje dhe akte të tjera dhune kundër pakicave, zyrtarëve të qeverisë dhe infrastrukturës jetike në Shtetet e Bashkuara, njoftoi të hënën Departamenti i Drejtësisë.

Të akuzuarit, Dallas Humber dhe Matthew Allison, përballen me 15 akuza federale në Kaliforni. Ata akuzohen ndër të tjera se nxitën krime të urrejtjes dhe madje vrasjen e zyrtarëve federalë, duke shpërndarë udhëzime për prodhimin e bombave dhe duke komplotuar për të ofruar mbështetje materiale për terroristët.

Dallas Humber, 34 vjeç, nga Elk Grove i Kalifornisë, dhe Matthew Allison, 37 vjeç, nga Boise i Ajdahos u arrestuan të premten. Zoti Humber deklaroi të hënën pafajësinë në sallën e gjykatës në Sacramento. Avokatja e tij, Noa Oren, nuk pranoi të komentojë për çështjen pasdite pas seancës paraprake, të hënën.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse zoti Allison kishte një avokat që mund të fliste në emër të tij.

Padia thotë se dy të akuzuarit drejtuan Terrorgram-in, një rrjet kanalesh komunikimi dhe bashkëbisedimi në Telegram, dhe u kërkonin ndjekësve të sulmonin persona që i shikonin si armiq të të bardhëve, ndërtesat qeveritare, objektet energjitike dhe objektiva të tjera të rëndësishme, si edhe politikanët.

“Masat e sotshme e bëjnë të qartë se departamenti do t’i mbajë shkelësit përgjegjës, përfshirë ata që fshihen pas ekraneve, ndërsa kërkojnë ushtrimin e dhunës së motivuar nga urrejtja”, tha gjatë një konference për shtypin ndihmës prokurorja e përgjithshme Kristen Clarke, zyrtarja kryesore për të drejtat civile në Departamentin e Drejtësisë.

Thirrjet që bënin dy të akuzuarit për ushtrim dhune përfshinin deklarata si “Veproni Tani” dhe “Bëni Pjesën Tuaj”. Përdoruesve që ndërmerrnin veprime në mbështetje të supremacisë së bardhë u thuhej se do të njiheshin si “Shenjtorë”, thanë prokurorët.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se të akuzuarit Humber dhe Allison e shfrytëzuan aplikacionin për të dërguar udhëzime për prodhim bombash dhe për të shpërndarë një listë të objektivave të mundshëm për atentat, ndër ta një gjykatës federal, një senator dhe një ish-prokuror, si dhe për të mbështetur veprimet dhe komplotet e përdoruesve aktivë në Terrorgram.

Ndër to janë sulmi me thikë muajin e kaluar ndaj pesë personave në një xhami në Turqi dhe arrestimi në korrik i një 18-vjeçari që akuzohet se planifikonte të sulmonte një nënstacion elektrik për të mbështetur pikëpamje të supremacisë së bardhë. Në rastin e sulmit në Turqi p.sh., prokurorët thonë se autori shkroi në kanalin e bashkëbisedimit mëngjesin e sulmit me thikë: “Ejani të shikoni se sa shumë njerëz mundem të spastroj”.

Një dokumentar 24-minutësh i prodhuar nga të akuzuarit, i titulluar “Terrori i Bardhë”, dokumenton dhe lavdëron 105 akte dhune të supremacistëve të bardhë gjatë periudhës 1968-2021, thuhet në padi.

“Rrezikshmëria e asaj që përfaqësojnë është tepër serioze”, tha për përdoruesit e Terrorgram-it, ndihmës prokurori i përgjithshëm Matthew Olsen, zyrtari kryesor për sigurinë kombëtare në Departamentin e Drejtësisë. Ai shtoi se “kanë ndikim të gjerë në internet për shkak të platformës që kanë krijuar”.

Zëdhënësi i rrjetit Telegram, Remi Vaughn tha se: “Thirrjet për dhunë nuk kanë vend në platformën e Telegramit”.

Telegrami është një aplikacion mesazhesh që mundëson bisedat mes dy personave, ose në grup, si dhe kanale më të mëdha që i përhapin mesazhet më gjerë ndër përdoruesit. Megjithëse përdoret gjerësisht si mjet shkëmbimi mesazhesh në mbarë botën, Telegrami është vendosur në qendër të vëmendjes, rishtazi edhe të hetuesve francezë, për përdorimin nga ekstremistët islamikë dhe trafikantët e drogës.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Telegramit, Pavel Durov, u arrestua muajin e kaluar nga autoritetet franceze nën akuzat se ka lejuar përdorimin e kësaj platforme për aktivitet kriminal. Zoti Durov iu përgjigj akuzave me një postim javën e kaluar, ku shkroi se nuk duhej të ishte sulmuar personalisht dhe ku premtoi se të rrisë përpjekjet për të luftuar kriminalitetin në këtë aplikacion.

Ai shkroi se Telegrami nuk është një “lloj parajse anarkike” dhe se numri në rritje i përdoruesve ka “shkaktuar vështirësi në rritje që e kanë bërë më të lehtë për kriminelët të abuzojnë me platformën tonë”.

XS
SM
MD
LG