Ish-kandidati për president i opozitës së Venezuelës, Edmundo González ka shkuar në mërgim pasi iu dha azili në Spanjë, një goditje e madhe për miliona votues që i kishin varur shpresat tek fushata e tij për t'i dhënë fund dy dekadave të sundimit njëpartiak.
Largimi i befasishëm i personit që konsiderohet nga opozita e Venezuelës dhe disa qeveri të huaja si fituesi legjitim i garës presidenciale në korrik, u njoftua të shtunën vonë nga Nënpresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez. Ai mbërriti në Spanjë të dielën.
Zonja Rodríguez tha se qeveria vendosi ta lejonte zotin González të largohej i sigurt jashtë vendit, vetëm disa ditë pasi kishte urdhëruar arrestimin e tij, për të ndihmuar në rivendosjen e "paqes dhe qetësisë politike në vend".
As zoti González dhe as udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado nuk kanë komentuar. Por qeveria e qendrës së majtë në Spanjë tha se vendimi për t'u larguar nga Venezuela ishte vetëm i zotit González dhe se ishte nisur me një aeroplan të dërguar nga forcat ajrore të vendit.
Ai kishte qëndruar në ambasadën spanjolle në Karakas përpara se të largohej. Ministri i Jashtëm José Manuel Albares i tha televizionit kombëtar spanjoll RTVE se qeveria e tij do t'i japë Gonzálezit azil politik, ashtu siç ka kërkuar.
“Sigurisht, i thashë se ishim të kënaqur që ai është mirë dhe rrugës për në Spanjë dhe përsërita angazhimin e qeverisë sonë për të drejtat politike të të gjithë venezuelianëve”, tha Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez.
Në një fjalim përpara se të njoftohej largimi i zotit González, ai tha se udhëheqësi i opozitës ishte "një hero të cilin Spanja nuk do ta braktisë".
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një deklaratë të dielën tha se ishte "një ditë e trishtuar për demokracinë në Venezuelë". Ai shtoi se zoti González "duket të jetë fituesi i zgjedhjeve presidenciale" dhe se BE do të vazhdojë mbështetjen për popullin venezuelian "në aspiratat e tyre demokratike".
Megjithëse presidenti Nicolás Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve të korrikut, shumica e qeverive perëndimore, përfshirë Spanjën, nuk e kanë njohur fitoren e tij dhe po u kërkojnë autoriteteve të Venezuelës të publikojnë të dhënat për votën.
Ndërkohë, fletët e numërimit të mbledhura nga vullnetarët e opozitës nga mbi dy të tretat e makinave elektronike të votimit tregojnë se ish-diplomati 75 vjeçar González kishte fituar. Fletët e numërimit janë konsideruar prej kohësh prova përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve në Venezuelë.