Lidhje

Grevë e përgjithshme në Izrael pas gjetjes së 6 pengjeve të vdekur


Në Izrael është bërë një thirrje e rrallë për grevë të përgjithshme pasi në Rripin e Gazës u gjetën trupat e gjashtë pengjeve të vrarë. Greva çoi në ndërprerje të punës në të gjithë vendin, duke e përfshirë edhe aeroportin kryesor ndërkombëtar. Greva e së hënës megjithatë u injorua në disa zona, duke reflektuar ndarje të thella politike. Një gjykatë e anuloi atë mëngjesin e së hënës ndërsa siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein disa e fajësojnë qeverinë izraelite për mos arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Hamasin.

Grevë e përgjithshme në Izrael pas gjetjes së 6 pengjeve të vdekur
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00


Vetëm disa ditë pasi familjet e tyre ndanë mesazhe me altoparlantë për pengjet nga kufiri i Izraelit me Gazën, ushtria izraelite njoftoi se trupat e gjashtë pengjeve u gjetën në një tunel në Gazën jugore. Mes pengjeve të vrarë ishte dhe Hersh Goldberg Polin, shtetas amerikano-izraelit.

“Ata u vranë mizorisht nga terroristët e Hamasit pak para se të arrijmë tek ata. Ata u rrëmbyen të gjallë mëngjesin e 7 tetorit nga organizata terroriste Hamas. Trupat e tyre u gjetën gjatë luftimeve në Rafah në një tunel nëntokësor, afërsisht një kilometër nga tuneli ku shpëtuam Farhan Alkadin, disa ditë më parë”, njoftoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.

Shtypi izraelit thotë se operacioni për shpëtimin e tyre mund të ketë provokuar Hamasin për të vrarë gjashtë pengjet, nga frika se ushtarët izraelitë po afroheshin. Gjithashtu u njoftua se tre nga gjashtë të vrarët do të liroheshin për arsye humanitare në fazën e parë të armëpushimit, duke përfshirë amerikano-izraeltin Goldberg Polin dhe dy gra.

Në demonstratat masive në mbarë vendin, protestuesit thonë se qeveria po saboton një marrëveshje për lirimin e pengjeve në favor të mbajtjes së një pranie ushtarake përgjatë kufirit Gazë-Egjipt.

Kjo u konfirmua nga ministrat e kabinetit qeveritar disa ditë më parë dhe, sipas njoftimeve të shtypit izraelit, Kryeministri Benjamin Netanyahu pranoi se vendimi i tyre ka të ngjarë të nënkuptojë dështimin e negociatave për një marrëveshje pengjesh.

Por pas vrasjes së gjashtë pengjeve, zoti Netanyahu fajësoi Hamasin për mungesën e ndonjë marrëveshjeje pengjesh.

“Këto ditë, ndërsa Izraeli po zhvillon negociata intensive me ndërmjetësit në përpjekje për të arritur marrëveshje, Hamasi vazhdon të refuzojë me vendosmëri çdo propozim… Kushdo që vret pengjet nuk dëshiron një marrëveshje”, tha kryeministri Netanyahu.

Sondazhet tregojnë se shumica e publikut izraelit mbështet një marrëveshje armëpushimi si e vetmja mënyrë për të liruar pengjet, edhe nëse kjo do të thotë se Hamasi nuk është shkatërruar plotësisht, sipas Gershon Baskin, një nga negociatorët izraelit me Hamasin.

“Trysnia ushtarake nuk i liroi pengjet. Tetë pengje u shpëtuan në operacione. Në Gazë ka ende 100 pengje. Nëse mësuam diçka, është se trysnia ushtarake nuk do t'i shpëtojë, por do t'i vrasë ata”, thotë zoti Baskin.

Mes zisë kombëtare për gjashtë pengjet e vrarë, izraelitët kanë dalë në rrugë në demonstrata masive kundër politikës ushtarake të zotit Netanyahu. Ata mbajtën një grevë të përgjithshme njëditore të hënën.

Një gjykatë që merret me çështjet e punës vendosi që greva duhet të përfundojë pasdite sipas orës lokale, duke pranuar një peticion nga qeveria që thoshte se greva ishte e motivuar politikisht.

XS
SM
MD
LG