Lidhje

Izraeli godet autokolonën e ndihmave në Gazë; vriten katër palestinezë


Situata e vështirë e palestinezëve është rënduar më tej nga sëmundjet si poliomeliti
Situata e vështirë e palestinezëve është rënduar më tej nga sëmundjet si poliomeliti

Një organizatë humanitare me seli në Shtetet e Bashkuara njoftoi të premten se një sulm ajror izraelit vrau katër palestinezë në automjetin që udhëhiqte një autokolonë ndihmash që po transportonte ushqime dhe karburant drejt një spitali në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Organizata Amerikane e Ndihmës për Refugjatët në Lindjen e Afërme (Anera), me seli në Uashington, tha në një deklaratë se sulmi ndodhi të enjten, ndërsa autokolona po vepronte sipas një "plani të koordinuar dhe të miratuar transporti". Organizata tha se plani parashikonte roje sigurie të paarmatosur si pjesë e autokolonës, duke iu përmbajtur "marrëveshjes strikte me kompaninë e tranzitit Move One".

Organizata tha se raportet që ka marrë tregojnë se menjëherë pasi autokolona kaloi pikën kufitare Karem Shalom në Gazë, katër anëtarët e komunitetit palestinez - që kishin përvojë në "misionet e mëparshme dhe me angazhimin për sigurinë e komunitetit me kompaninë Move One" - kërkuan të merrnin drejtimin e mjetit kryesor.

Në deklaratë thuhet se ata përmendën shqetësime se rruga ishte e pasigurt dhe se ekzistonte rreziku i grabitjes gjatë rrugës. Organizata “Anera” tha se katër personat nuk ishin verifikuar paraprakisht dhe autoritetet izraelite pretendojnë se në makinën kryesuese kishte armë të shumta. Sulmi ajror izraelit u krye pa asnjë paralajmërim apo komunikim.

Organizata tha se asnjë anëtar i personelit të saj nuk u dëmtua, megjithëse një punonjës i “Aneras” në automjetin e dytë u bë dëshmitar i incidentit nga një distancë e afërt.

“Anera” tha se pavarësisht sulmit, pjesa e mbetur e autokolonës vazhdoi misionin e saj dhe i dorëzoi me sukses ndihmat në spitalin në Rafah. Organizata tha se është koordinuar me Emiratet e Bashkuara Arabe për të dorëzuar 24 dërgesa që nga muaji maj, në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve.

Në një deklaratë për gazetën “The Washington Post”, drejtorja për palestinezët në “Anera”, Sandra Rasheed tha se ndër ndihmat e dorëzuara nga autokolona kishte furnizime mjekësore dhe karburant për spitalin e drejtuar nga Emiratet në Rafah. Ajo gjithashtu konfirmoi se trajektorja e tyre ishte koordinuar me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Sipas ushtrisë izraelite, militantët e armatosur kishin marrë kontrollin e automjetit kryesor dhe u krye një sulm ndaj tyre.

Palestinezët duke marrë ndihma
Palestinezët duke marrë ndihma

Sulmi ndaj autokolonës së organizatës “Anera” vjen dy ditë pasi një kamion i Programit Botëror të Ushqimit u qëllua në Gazë. Në një deklaratë të premten, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare - OCHA - tha se sulmet ndaj personelit humanitar, misioneve dhe objekteve humanitare po kufizojnë më tej shpërndarjen e ndihmave jetike në Gazë.

OCHA paralajmëroi se “këto incidente jo vetëm që rrezikojnë jetën e punonjësve të ndihmave – me vdekjet më të shumta të regjistruara ndonjëherë nga OKB-ja – por gjithashtu kufizojnë kapacitetin e tyre për të ndihmuar mbi 2 milionë njerëz që janë të përfshirë në përpjekje të përditshme për mbijetesën e tyre”.

Sulmet vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se Izraeli ka rënë dakord për të paktën tre ditë "pauza humanitare" në luftimet në Gazë, duke filluar nga e diela, për t’ua lejuar zyrtarëve të shëndetësisë të OKB-së që të administrojnë vaksinat e poliomielitit në këtë territor.

Më parë, ushtria izraelite tha se një komandant lokal i Hamasit ishte ndër tre militantët e vrarë të premten në një sulm ajror në Xhenin, si pjesë e operacionit të gjerë në Bregun Perëndimor për të tretën ditë me radhë.

Në një deklaratë në llogarinë e saj në rrjetin social X, ushtria izraelite tha se forcat e Policisë Kufitare kishin vrarë Wassem Hazemin, që tha se ishte kreu i Hamasit në Xhenin dhe ishte i përfshirë në sulmet me armë dhe bombardimet në territorin palestinez. Ushtria publikoi një video të marrë nga një avion, ku tregohet sulmi ajror.

Ushtria izraelite tha se dy persona të tjerë të armatosur të Hamasit që u përpoqën t'i shpëtonin makinës me të cilën po udhëtonin, u vranë nga një dron. Në postimin në rrjetin X kishte një fotografi të armëve, eksplozivëve dhe shumave të mëdha të parave të gjetura në automjet.

Hamasi konfirmoi vdekjen e të tre burrave, që tha se ishin anëtarë të krahut të tij të armatosur, Brigadat al-Qassam.

Izraeli tha se operacionet në veri të Bregut Perëndimor – të cilat kanë vrarë gjithsej 16 persona nga e marta në mbrëmje, pothuajse të gjithë militantë – kanë për qëllim parandalimin e sulmeve.

Palestinezët thanë se i shohin sulmet si një zgjerim të luftës prej dhjetë muajsh e gjysëm mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë dhe se ato synojnë të përjetësojnë sundimin ushtarak prej dekadash të Izraelit mbi Bregun Perëndimor.

Në një përditësim të premten, ushtria izraelite raportoi se që nga mbrëmja e së martës, forcat izraelite kanë "kryer një operacion rajonal të saktë dhe me objektiva konkrete në tre qendra terroriste".

Deklarata tha se forcat izraelite po veprojnë kundër organizatave terroriste të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në këtë zonë, si dhe "përpjekjeve të vazhdueshme të armikut për të kryer sulme ndaj civilëve izraelitë dhe ushtarëve".

Deklarata njofton se janë eliminuar “20 terroristë në shkëmbime zjarri dhe sulme ajrore dhe janë kapur 17 të dyshuar të lidhur me aktivitete terroriste. Përveç kësaj, janë shkatërruar dhjetëra mjete shpërthyese dhe janë konfiskuar sasi të mëdha armësh”.

Deklarata tha se krahas operacionit në Samarinë veriore, ka "përfunduar një operacion në zonën Far'a, në Luginën e Jordanit".

Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve The Associated Press, Reuters dhe AFP.

XS
SM
MD
LG