Lidhje

Ukraina njofton rrëzimin e një prej avionëve të saj luftarak F-16


Forcat ajrore të Ukrainës thanë të enjten se një nga avionët luftarakë F-16, që Kievi kishte marrë nga partnerët e saj perëndimorë është rrëzuar.

Avioni u rrëzua të hënën, kur Rusia nisi një sulm të madh me raketa dhe dronë kundër Ukrainës, sipas një deklarate të ushtrisë të publikuar në Facebook.

Ky shënon rrëzimin e parë të njoftuar të një F-16-te në Ukrainë. Avionët luftarakë mbërritën në vend në fund të korrikut.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës bëri të ditur se po heton rastin.

Më herët të enjten, ushtria e Ukrainës tha se Rusia sulmoi gjatë natës me 74 dronë dhe tre raketa me vetëdrejtim dhe se mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar 60 prej tyre.

Ushtria njoftoi se interceptimet e raketave dhe dronëve u bënë mbi rajonet Cherkasy, Dnipropetrovsk, Donetsk, Kharkiv, Kherson, Kirovohrad, Kyiv, Poltava dhe Sumy.

Zyrtarët në Kiev thanë se kryeqyteti u përball me një raund të tretë sulmesh me dron në harkun kohor të katër ditë.

Në Bruksel përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së, Ministri i Jashtëm i ukrainas Dmytro Kuleba, u tha gazetarëve të enjten se Kievi po u kërkon aleatëve që ofrojnë armë për Ukrainën e që ta lejojnë atë t’i përdorë ato për të goditur "objektiva legjitime ushtarake" brenda Rusisë.

Zoti Kuleba tha se qëllimi kryesor i Ukrainës është të jetë në gjendje të godasë fushat ajrore që Rusia përdor për të lëshuar bombardues për sulme ndaj forcave dhe infrastrukturës ukrainase.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u tha gazetarëve se do t'i shtyjë vendet anëtare të përmbushin angazhimet e tyre dhe të përpiqen të rrisin mbështetjen për Ukrainën.

Është e qartë se forcat ukrainase të pajisura mirë mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës, jo vetëm duke mbrojtur veten, por edhe duke rimarrë teritore të pushtuara”, tha zoti Borrell.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten se ka rrëzuar gjashtë dronë ukrainas. Interceptimet ndodhën mbi rajonet Belgorod dhe Bryansk dhe në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia.

Moska tha gjithashtu se kishte penguar një tentativë për sulm me dronë që ishin nisur drejt Krimesë.

XS
SM
MD
LG