Lidhje

Shqipëri, zjarret vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë dhe mjedisin


Zjarret në Shqipëri
Zjarret në Shqipëri

Zjarret në sipërfaqet pyjore dhe kullota po vazhdojnë prej më shumë se dy muajsh në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomisë së vendit, por edhe mjedisit.

 Shqipëri, zjarret vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë dhe mjedisin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Vetëm ditën e sotme, më datën 29 gusht, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, janë raportuar 29 vatra zjarri në fshatrat e 16 bashkive: Durrës, Kavajë, Tiranë, Krujë, Rrogozhinë, Vlorë, Delvinë, Këlcyrë, Lezhë, Dibër, Tropojë, Has dhe Malësi e Madhe. Disa vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive sot në zonën malore të Bashkisë së Shkodrës, Vaut të Dejës dhe Fushë Arrësit.

Shqipëria nuk ka një arkivë të dhënash të publikuara mbi zjarret dhe dëmet e shkaktuara në sipërfaqet pyjore gjatë 30 viteve të fundit. Por sistemi europian i informacionit për zjarret në pyje jep një pasqyrë të qartë të këtyre të dhënave duke nisur nga viti 2006, të cilat dëshmojnë se Shqipëria është një nga vendet e rajonit që është prekur më shumë nga zjarret në sipërfaqet pyjore. Sipas tij, gjatë 8 muajve të deritanishëm të vitit në Shqipëri janë prekur nga zjarret 139 zona pyjore ku janë djegur 40.514 hektarë pyje, ose 1.41 përqind të të gjithë sipërfaqes pyjore të vendit.

Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje ka nisur regjistrimin e të dhënave satelitore për Shqipërinë që në vitin 2006. Sipas të dhënave të regjistruara prej tij, viti 2024 renditet në vendin e pestë për numrin më të madh të zjarreve dhe sipërfaqeve pyjore të djegura. Rekordin e mban viti 2007 me 163 zjarre dhe 127.491 hektarë pyje të djegura. Pas tij renditen viti 2011, 2012 dhe viti 2017. Ndërsa viti 2014 shënoi numrin më të vogël të zjarreve, vetëm 3, me një sipërfaqe të djegur 431 ha.

Kështu, sipas EFFIS, brenda 18 viteve të fundit, zjarret kanë prekur 1529 zona pyjore duke djegur 446.513 hektarë pyje, një sasi kjo e konsiderueshme për një vend të vogël si Shqipëria. Qarqet më të prekura janë ai i Vlorës, pasuar nga Qarku i Shkodrës, i Lezhës, Kukësit, Gjirokastrës dhe Dibrës. Ndërsa, qarqet më pak të prekura nga zjarret në pyje janë Qarku i Elbasanit, pasuar nga Qarku i Beratit.

Për shkak të kapaciteteve të kufizuara njerëzore dhe materiale për përballimin e situatës, Shqipëria këtë vit aktivizoi dy herë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile për mbështetjen me helikopterë të specializuar në shuarjen e zjarreve në pyje. Gjithashtu, në shuarjen e vatrave të zjarrit janë përfshirë edhe forcat dhe mjetet e ushtrisë, të mbështetura nga një helikopter “Cougar” i Forcave të Armatosura

Të dhënat e ofruara nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje, duke nisur nga viti 2006 e në vazhdim, pasqyrojnë shkallën e dëmtimit të kësaj pasurie kombëtare, por edhe paaftësinë dhe indiferencën e strukturave shtetërore për marrjen e masave parandaluese si dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, e cila vazhdon të dëmtohet.

Fenomeni i zjarreve në sipërfaqet pyjore ka prekur të gjithë rajonin e Ballkanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë e këtyre vendeve, por edhe në mjedis e turizëm. Kështu, pas Greqisë, numrin më të madh të zjarreve në sipërfaqet pyjore e mban Maqedonia e Veriut, shoqëruar nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje, që nga viti 2006 në Kosovë janë djegur 195.700 hektarë me pyje. Rajonet më të prekura janë Prizreni dhe Gjakova, të dyja zona kufitare me Shqipërinë. Sipas këtij burimi, nga viti 2006 e në vazhdim në Prizren janë djegur 50.800 hektarë pyje, ndërsa në Gjakovë 47600 hektarë pyje.

Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) operon që nga viti 1998 dhe mbështet shërbimet përgjegjëse për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret në vendet e Bashkimit Europian, por edhe vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë. Ai është një komponente e shërbimeve të menaxhimit të emergjencave civile në programin COPERNICUS të BE-së.

XS
SM
MD
LG