Lidhje

Vuajtjet e vajzave dhe grave afgane tre vite pas tërheqjes amerikane


Tre vitet e regjimit taleban në Afganistan kanë sjellë vuajtje për vajzat dhe gratë afgane, thonë kritikët e këtij regjimi të ashpër. Ndërsa Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris shënuan këtë javë përvjetorin e tretë të tërheqjes amerikane, korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton se aktivistët kërkojnë që Uashingtoni të bëjë më shumë për situatën revoltuese të të drejtave të njeriut në Afganistan.

Vuajtjet e vajzave dhe grave afgane tre vite pas tërheqjes amerikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Talebanët duan që paradat ushtarake të bëhen simboli i regjimit të tyre tre-vjeçar në Afganistan.

Por pamja e vërtetë e këtij regjimi shpaloset tek fotografitë e fëmijëve që shiten për t’u martuar. Parwana Malik u shit për t’u martuar pak pasi u tërhoqën forcat amerikane, tre vite më parë.

Ajo ishte vetëm nëntë vjeç.

Ajo nuk është një përjashtim. Mediat lokale njoftojnë për vajza edhe 7 apo 8 vjeçare që u jepen për nuse zyrtarëve talebanë. Parwana u fotografua nga organizata jofitimprurëse “Tepër të Rinj për t’u martuar”, e themeluar nga Stephanie Sinclair.

“Ajo që po u bëjnë talebanët grave dhe vajzave është absolutisht një krim ndaj njerëzimit. Dhe vajzat dhe gratë afgane brenda vendit po vuajnë vërtet”, thotë zonja Sinclair.

Presidenti Joe Biden bëri një deklaratë në përvjetorin e tërheqjes, për të nderuar ushtarakët amerikanë që dhanë jetën.

Nënpresidentja Kamala Harris bëri një deklaratë të ngjashme. Ashtu si Presidenti Biden, edhe ajo nuk përmendi gratë dhe vajzat, megjithëse si një juriste që kandidon për postin më të lartë publik në vend, ajo shërben si një refuzim i gjallë i urdhëresave të talebanëve që vajzat të mos shkollohen përtej klasës së gjashtë.

Edhe ish-Presidenti Donald Trump u përqëndrua tek vdekjet e 13 ushtarakëve amerikanë ndërsa kritikoi tërheqjen nën drejtimin e administratës së Presidentit Biden.

“I shkaktuar nga Kamala Harris dhe Joe Biden-i, poshtërimi në Afganistan filloi rrëzimin e besueshmërisë dhe respektit për Amerikën në mbarë botën”, tha ish-Presidenti Trump.

Më herët këtë muaj, në një aktivitet për këtë përvjetor, një zyrtar taleban mbajti një fjalim sfidues duke kritikuar ndërhyrjen ndërkombëtare. Grave, qofshin edhe gazetare, iu ishte ndaluar pjesëmarrja në këtë aktivitet.

Regjimi miratoi rishtazi një ligj që u kufizon grave lëvizjen e lirë, vendos detyrimin që të mbulojnë trupin e tyre dhe të mos flasin në publik.

OKB-ja e quajti ligjin tronditës dhe kërkoi anulimin e tij.

Udhëheqësi në mërgatë i rezistencës afgane thotë se shtypja e të drejtave të gjysmës së popullsisë është një politikë e keqe.

“Ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Të rinjtë e Afganistanit, në veçanti vajzat e reja, kanë ëndrra dhe aspirata jo të ndryshme nga ato të bashkëmoshatarëve të tyre në mbarë globin”, thotë Ahmad Massoud, nga Fronti i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit.

Në këtë përvjetor, fotografja Sinclair u bëri thirrje udhëheqësve amerikanë të mos përqëndrohen tek burrat në pushtet, por tek zërat që ata kanë heshtur dhe t’u imponojnë atyre pasojat e ashpra që meritojnë.

Për fatin e mirë të Parwanas, bashkëshorti i saj i moshuar u bind nga organizata “Tepër të Rinj për t’u Martuar” që ta kthente vajzën tek familja e saj.

Parwana tashmë është rikthyer aty ku i takon: në shkollë.

“Ajo ka karakter të spikatur. Ka mendimin e saj dhe dëshiron të bëhet mësuese, ose mjeke, dhe dëshiron të bëjë diçka; ka energjinë për ta realizuar. Problemi është se jeton në një shoqëri që nuk ia lejon këtë”, thotë zonja Sinclair.

Por, ndërsa i afrohet klasës së gjashtë, ajo mban mbi shpatulla një peshë të madhe: atë të vetëdijes se nëse nuk ndryshon diçka, koha po i mbaron me shpejtësi.

XS
SM
MD
LG