Një grup të arratisurish nga Koreja e Veriut kanë çelur në Seul një faqe lajmesh në internet që synon të ekspozojë abuzimin me të drejtat e njeriut. Siç njofton nga Seuli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, ata synojnë gjithashtu të ofrojnë një këndvështrim ndryshe për atdheun e tyre.
Kur Koreja e Veriut përmendet në lajmet ndërkombëtare, dominojnë përgjithësisht pamjet e udhëheqësit të këtij vendi, Kim Jong Un, duke mbikëqyrur provat e armëve.
Por këto lloj pamjesh luftarake lënë në hije atë çfarë ndodh vërtet në pjesën më të madhe të vendit, thotë i arratisuri nga Koreja e Veriut, Lee Seong-min.
“Koreja e Veriut nuk është vetëm armët bërthamore dhe Kim Jong Uni. Ka shumë njerëz me perspektiva të ndryshme, shpresa dhe aspirata për të ardhmen e vendit të tyre”, thotë zoti Lee.
Ai u arratis nga Koreja e Veriut në vitin 2012 dhe tashmë ndihmon me faqen në internet “NK Insider”, që synon t’u ofrojë një platformë zërave të koranoveriorëve.
“Shumë njerëz flasin për Korenë e Veriut, studiues dhe ekspertë, por ka dallime kur dëgjon zërat e koreanoveriorëve që jetonin brenda atij sistemi”, thotë zoti Lee.
Rreth tetë të arratisur nga Koreja e Veriut shkruajnë për faqen e internetit që filloi funksionimin këtë vit. Ata komunikojnë fshehurazi me persona brenda Koresë së Veriut dhe disa prej tyre nuk dëshirojnë të shfaqen në kamera.
Zane Han, ish-banor në Phenian, u arratis nga Koreja e Veriut dy vite më parë.
“Askush nuk mundet ta imagjinojë si është situata brenda Koresë së Veriut, ajo çfarë përjetojnë njerëzit brenda Koresë së Veriut – realisht si skllevër në atë vend. Por, unë isha atje dhe e di”, thotë zoti Han.
Ai është një ndër koreanoveriorët e paktë që kanë arritur të largohen drejt Koresë së Jugut. Që nga pandemia, Koreja e Veriut shtrëngoi masat për sigurinë kufitare.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë arratisja nga Koreja e Veriut. Kjo është diçka e re. Shanset për koreanoveriorët e zakonshëm janë pothuajse zero”, thotë Lee Shin-wha, ish-ambasadore e Koresë së Jugut për të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut.
Lee Seong-min thotë se një ndër qëllimet e tij është që të flasë në emër të koreanoveriorëve që nuk kanë të drejtën të shprehen dhe që nuk largohen dot.
“Për t’u ofruar një platformë të arratisurve nga Koreja e Veriut dhe rrjedhimisht atyre që ende jetojnë atje”, thotë ai, ndërsa përpiqet të ofrojë një perspektivë të ndryshme për vendin e tij.