Lidhje

Sullivan në Kinë, në përpjekje për të ruajtur linjat e komunikimit


Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan mbërriti të martën në Pekin për bisedime që synojnë zbutjen e tensioneve mes Shtetet e Bashkuara dhe Kinës. Të dyja vendet duan të shmangin një krizë madhore në prag të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, gjë që mund të përcaktonte tonin për lidhjet mes konkurrentëve strategjikë gjatë presidencës së ardhshme amerikane.

Sullivan në Kinë, në përpjekje për të ruajtur linjat e komunikimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:52 0:00


Synimi i vizitës së zotit Sullivan në Kinë, e cila zgjat deri të enjten, është modest: Të përpiqet të mbajë të hapura linjat e komunikimit në një marrëdhënie që u dobësua rëndë në periudhën 2022-23. Ai u takua të martën me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi.

"Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë në bisedat e tij me Presidentin Xi se ai është i përkushtuar ta trajtojë këtë marrëdhënie të rëndësishme me përgjegjësi. Rezultatet e takimit të nivelit të lartë dhe puna që kemi bërë që atëherë dëshmojnë se ne po punojmë për të shmangur kalimin nga konkurrenca në konflikt dhe për të gjetur mënyra për të punuar së bashku aty ku na përputhen interesat", tha zoti Sullivan.

Zoti Wang, i cili është edhe zyrtari më i lartë i politikës së jashtme në Partinë Komuniste të Kinës tha se marrëdhënia mes dy vendeve ka rëndësi kritike për ato vetë dhe për gjithë botën.

“Çelësi është të vazhdojmë në drejtimin e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit në favor të të dyja palëve. Zbatimi i angazhimeve mes dy presidentëve tanë në takimin e tyre në San Francisko, është përgjegjësia jonë e rëndësishme.”

Zoti Sullivan ka qenë zyrtari kryesor i administratës së Presidentit Joe Biden që ka mbajtur bisedime shpesh të paparalajmëruara me zotin Wang, në përpjekje për të zbutur dallimet në rritje mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Nga vizita nuk pritet ndonjë njoftim i rëndësishëm, megjithëse takimet e zotit Sullivan mund të vendosin bazat për një takim të mundshëm të nivelit të lartë mes Presidentit Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping përpara se zotit Biden t’i mbarojë mandati në janar.

Da Wei, drejtor i Qendrës për Sigurinë Ndërkombëtare dhe Strategjinë në Universitetin Tsinghua në Pekin thotë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të shmangin çdo krizë në muajt e mbetur të administratës së zotit Biden, pasi një gjë e tillë mund të përcaktonte tonin e marrëdhënieve SHBA-Kinë për presidencën e ardhshme.

“Qëllimi i kësaj vizite nuk është arritja e ndonjë përparimi të ri, por ruajtja e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve që u stabilizuan vitin e kaluar përmes komunikimit strategjik, si edhe shmangia e krizave të reja në muajt e ardhshëm”, thotë ai.

Administrata e Presidentin Biden ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj Kinës me të cilën Shtetet e Bashkuara kanë një konkurrencë strategjike, duke kufizuar qasjen e kompanive të saj në teknologjinë e përparuar dhe duke dënuar agresionin e saj në rritje lidhur me Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

Marrëdhëniet e vështira mes dy vendeve, pësuan një goditje të mëtejshme pasi Kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në gusht 2022.

Shpresat për stabilizimin e lidhjeve u zbehën në shkurtin e vitit 2023, kur një balonë e dyshuar kineze zbulimi qarkulloi në hapësirën ajrore amerikane përpara se të rrëzohej nga ushtria amerikane.

Zoti Sullivan dhe zoti Wang u takuan në Vjenë në maj 2023, në përpjekje për të filluar një proces delikat të rikthimit të marrëdhënieve në rrugën e duhur.

Që atëherë, ata janë takuar edhe dy herë të tjera në vende të treta, në Maltë dhe Tajlandë.

Kjo javë shënon bisedimet e tyre të para në Pekin.

Ministria e Jashtme e Kinës tha këtë javë se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten në "një pikë kritike". Ajo vuri në dukje se të dy palët po bisedojnë për klimën dhe çështje të tjera, por akuzoi SHBA-në se vazhdon të marrë masa kufizuese ndaj Kinës.

Kanadaja njoftoi të hënën se ashtu si Amerika do të vendosë një tarifë 100% ndaj importeve të automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë, pasi zoti Sullivan bëri thirrje për një gjë të tillë gjatë një takimi me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe ministrat e kabinetit të tij.

XS
SM
MD
LG