Lidhje

SHBA vendos sanksione ndaj mbi 400 kompanive për mbështetje të Rusisë në luftën ndaj Ukrainës


US Russia Sanctions
US Russia Sanctions

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja të premten ndaj më shumë se 400 subjekteve për mbështetjen e Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Të shpallura një ditë para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sanksionet kanë në shënjestër firmat në Rusi, Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, që akuzohen se kanë ndihmuar Rusinë për të shmangur sanksionet amerikane dhe kanë ndihmuar luftën e saj në Ukrainë, sipas një njoftimi për shtypin të Departamentit të Thesarit.

Administrata e Presidentit Biden shtoi gjithashtu 123 firma në listën e kontrollit të eksporteve të Shteteve të Bashkuara, e cila i detyron furnizuesit të marrin leje përpara se të dërgojnë artikuj tek kompanitë e vendosura në këtë listë. Në mesin e kompanive të shtuara të premten janë 42 firma kineze dhe 63 firma ruse, sipas një njoftimi të publikuar në Regjistrin Federal.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht Pekinin kundër furnizimit të Moskës me makineri dhe teknologji që mbështet industrinë ruse të mbrojtjes dhe sulmin e saj në shkallë të gjerë në Ukrainë.

Kina thotë se nuk i ka ofruar armë Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, por ka mbrojtur atë që ajo e quan tregti normale midis Pekinit dhe Moskës.

Departamenti amerikan i Thesarit paralajmëroi gjithashtu “rregullatorët e huaj dhe institucionet financiare” që të mos bëjnë biznes me degët jashtë shtetit ose filialet e institucioneve financiare ruse, duke përfshirë ato që nuk janë të sanksionuara.

“Departamenti i Thesarit ka një sërë mjetesh në dispozicion për t'iu përgjigjur krijimit të kanaleve të reja të shmangies së sanksioneve”, shtohet në deklaratë.

Duke vendosur sanksione të reja, Departamenti i Thesarit po vazhdon "të zbatojë angazhimet" e marra nga presidenti Joe Biden dhe homologët e tij nga Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara "për të ndërprerë zinxhirët e furnizimit për industrinë ushtareke të Rusisë dhe kanalet e saj të pagesave", tha përmes një deklarate Nënsekretari i Departamentit të Thesarit Wally Adeyemo i Thesarit.

"Kompanitë, institucionet financiare dhe qeveritë në mbarë botën duhet të sigurohen se nuk po mbështesin zinxhirët e furnizimit të industrisë ushtarake të Rusisë", shtoi ai.

XS
SM
MD
LG