Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, u takua të premten në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në Kuvendin e demokratëve në Çikago.
Të enjten zoti Burns u takua me dyer të mbyllura me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani si dhe me institucionet e sigurisë.
Nuk janë dhënë hollësi rreth vizitës, ndërsa presidentja Osmani në një postim në Facebook shkroi se “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses”!
Vizita e zotit Burns ndodh në një kohë kur qeveria amerikane ka kundërshtuar vendimet për veriun e Kosovës të kryeministrit Albin Kurti dhe ka vlerësuar se ka rënie të cilësisë së marrëdhënieve ndërmjet dy qeverive.
Në një njoftim të qeverisë së Kosovës, thuhet ndërkaq se vizita e zotit Burns “përfaqëson një moment të rëndësishëm historik” në marrëdhëniet dypalëshe,
“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.
Zoti Burns arriti në Prishtinë, në kuadër të një vizite në rajon gjatë së cilës qëndroi edhe në Sarajevë dhe në Beograd.
Nuk pati asnjë njoftim për takimet e tij në Serbi, ndërsa të martën zoti Burns takoi në Sarajevë zyrtarë politikë dhe të agjencive të sigurisë, në një vizitë gjatë së cilës, sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, u diskutua lidhur me retorikën përçarëse dhe veprimet e presidentit pro rus të Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Milorad Dodiku gëzon përkrahjen e Rusisë për qëndrimet e tij, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga agresioni i saj në Ukrainë.
Ajo që ra në sy pas vizitës së zotit Burns në Sarajevë, ishte se Milorad Dodiku shkroi në rrjetet sociale se “Republika Serbe kurrë nuk e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe shkëputja nuk ka qenë kurrë politika jonë”.
Por, shkroi ai, Republika Serbe ka të drejtë të zhvillojë luftë politike për statusin e saj, sipas Marrëveshjes së Dejtonit.
“Bosnja dhe Hercegovina është bashkim i dy entiteteve të barabarta dhe tre popujve përbërës, prandaj është inkurajues qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit është e të gjitha bashkësive etnike”, shkroi ai.
Të enjten Milorad Dodiku u prit në Beograd nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në një takim, gjatë të cilit, siç u tha, të dy bënë “një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”.
Milorad Dodiku është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Shtetet e Bashkuara thonë se ai e ka dëmtuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995, që shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve. Në përfundim të luftës Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republikën Serbe dhe Federatën Boshnjako-Kroate, të lidhura nëpërmjet një qeverie të dobët qendrore në Sarajevë.