Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, u takua të enjten me dyer të mbyllura me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në Prishtinë, në kuadër të një vizitë në rajon gjatë së cilës qëndroi edhe në Sarajevë dhe në Beograd.
Asnjëra palë nuk ka dhënë ende ndonjë hollësi rreth vizitës së zotit Burns, që ndodh në një kohë kur qeveria amerikane ka kundërshtuar vendimet për veriun të kryeministrit Albin Kurti, i cili këto ditë po merr pjesë në Kuvendin e demokratëve në Çikago.
Zoti Burns arriti në Prishtinë nga Beogradi, por për vizitën e tij atje nuk ka pasur asnjë njoftim.
Të martën zoti Burns ishte në Sarajevë për takime me zyrtarë politikë dhe të agjencive të sigurisë, në një vizitë gjatë së cilës, sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, u diskutua lidhur me retorikën përçarëse dhe veprimet e presidentit pro rus të Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Milorad Dodiku gëzon përkrahjen e Rusisë për qëndrimet e tij, ndërsa ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Moska po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, për të zhvendosur të paktën një pjesë të vëmendjes botërore nga agresioni i saj në Ukrainë.