Tre punonjës të një shkolle të mesme u vranë të mërkurën në qytetin perëndimor të Bosnjës, Sanski Most, kur një punonjës tjetër qëlloi mbi ta dhe më pas bëri përpjekje të vetëvritej.
Zëdhënësi i policisë së kantonit Una-sana, Adnan Beganoviç, tha se paraditen e së mërkurës policia u njoftua se një burrë kishte hapur zjarr në shkollë me një pushkë automatike.
Në mesin e të vrarëve është drejtori i shkollës.
Autori " u përpoq të bënte vetëvrasje dhe mbeti i plagosur rëndë", tha zëdhënësi Beganoviç, duke shtuar se i dyshuari u transferua për trajtim urgjent në qytetin e afërt të Banja Lukës.
Policia tha se po kryhen hetime rreth motiveve të mundshme të ngjarjes.
Shkolla nuk ishte rihapur ende për mësim meqë është periudhë e pushimeve verore.
Televizioni rajonal N1, duke cituar dëshmitarë, tha se sulmuesi, punonjës teknik, kishte një histori mosmarrëveshjesh me drejtuesit e shkollës. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të vërtetojë pohimet e tilla.
Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Ballkanin Perëndimor, i cili është i mbushur me armë që mbetën në duart e qytetarëve nga luftërat e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
Sipas një studimi të vitit 2010 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, në Bosnjën me rreth 3.5 milionë banorë, kishte rreth 750,000 armë të paligjshme në duart e qytetarëve.
Në korrik, një veteran lufte në Kroacinë fqinje qëlloi pesë persona, përfshirë nënën e tij në një shtëpi kujdesi për të moshuarit dhe plagosi gjashtë të tjerë.
Në muajin maj të vitit 2023, në Serbi, një adoleshent hapi zjarr në një shkollë me armët e babait të tij, duke vrarë nëntë fëmijë dhe një roje shkolle, ndërsa një ditë më vonë një 20-vjeçar vrau nëntë persona dhe plagosi 12 në një qytet jo larg Beogradit.