Lidhje

Delegatët demokratë mblidhen në Çikago për kuvendin e partisë


Në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane, mijëra delegatë demokratë mblidhen këtë javë në Çikago për zyrtarizimin e të emëruarve të tyre në garën për Shtëpinë e Bardhë, dyshes së Nënpresidentes Kamala Harris dhe Guvernatorit të Minesotës Tim Walz.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Uashington, Carolyn Presutti, hedh një vështrim mbi disa nga kuvendet më kaotike në historinë e Partisë Demokrate dhe rritjen e mbështetjes për Nënpresidenten Kamala Harris, pas vendimin të Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara.

Delegatët demokratë mblidhen në Çikago për kuvendin e partisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00

Çikago, 1968. Dhunë mes policisë dhe protestuesve kundër luftës në Vietnam jashtë Kuvendit kombëtar të Partisë Demokrate. Televizioni, një medium relativisht i ri, po transmetonte pamje të drejtpëdrejta të përleshjeve.

Qyteti i Nju Jorkut, 1976. Kjo është hera e fundit që Partia Demokrate e njoftoi kandidatin e saj për nënpresident gjatë kuvendit, kur kandidati për President Jimmy Carter zgjodhi Walter Mondale-in.

“Ne kemi vizion, e duam vendin tonë dhe do ta bëjmë punën tonë”, tha zoti Mondale në tubim.

Kaos në Kuvendin e radhës më 1980, kur senatori Ted Kennedy sfidoi Presidentin Carter i cili synonte mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Por, zoti Kennedy u dorëzua para zotit Carter në një fjalim të njohur që përfundoi kështu...

“Kauza vazhdon, shpresa ende jeton dhe ëndrra nuk do të vdesë kurrë”.

Sërish në Çikago, më 1996...

... protestues për të drejtat civile që kërkojnë barazi racore dhe reforma sociale. Policia pengon futjen e turmave në perimentrin e sigurisë.

Denver 2008. Fjalimi i kandadatit Barak Obama u zhvendos në një stadium të hapur, për shkak të interesimit të një numri rekord prej 84 mijë personash.

“Me mirënjohje të thellë dhe përulësi të madhe, e pranoj emërimin tuaj për presidencën e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Obama më 2008.

Këtë javë në Çikago, Nënpresidentja Kamala Harris dhe Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, hapin kuvendin e partisë në një moment të rëndësishëm të fushatës së tyre.

Muajin e kaluar, Presidenti Joe Biden ishte pas rivalit republikan Donald Trump në sondazhe.

Pas tërheqjes së zotit Biden, kandidatja Harris ka rritur mbështetjen në sondazhe. Sipas anketës së javës së kaluar të kompanisë ‘Morning Consult’, ajo është tre pikë para ish-Presidentit Trump, megjithëse gara mbetet tepër e ngushtë.

Do të ketë protesta, siç ndodh gjithmonë në kuvende, të ngjashme me këto para Kuvendit të Partisë Republikane muajin e kaluar në Viskonsin. Mijëra forca të rendit federale, shtetërore dhe lokale do të kujdesen për rendin në Çikago.

“Jam i bindur se plani ynë do të sigurojë një mjedis të sigurt gjatë Kuvendit Demokrat”, tha Derek Mayer nga Shërbimi Sekret amerikan.

Zyrtarët e Çikagos presin deri në 50 mijë vizitorë nga qytete të tjera amerikane për kuvendin që mbahet në qendrën sportive “United Center”.

XS
SM
MD
LG