Kandidati republikan Donald Trump muajin e kaluar njoftoi përzgjedhjen e Senatorit të Ohajos JD Vance si kandidat të republikanëve për nënpresident. Senatori Vance ka mbaruar fakultetin juridik në Universitetin Yale, ku ai takoi bashkëshorten e tij, Usha. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar, ajo është vajzë emigrantësh nga India, e cila së fundmi la punën e saj në një nga firmat e njohura ligjore në Uashington dhe Kaliforni.
Tridhjetë e tetë vjeçarja Usha Vance tëhoqi vëmendjen e publikut gjatë prezantimit të bashkëshortit të saj, JD Vance, si kandidat për nënpresident në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane.
"E takova JD-in në fakultetin juridik pak kohë pasi ai kishte mbaruar studimet në Universitetin shtetëror të Ohajos", tha ajo.
Vajza e emigrantëve indianë, Usha Chilukuri lindi në Kaliforni dhe u rrit me traditat e fesë hindu. Ajo dhe JD Vance u martuan në një ceremoni ndërfetare në vitin 2014.
“Unë u rrita në San Diego në një komunitet të klasës së mesme, me dy prindër të dashur, të dy emigrantë nga India”, tha ajo.
Prindërit e Usha Vance janë akademikë. Halla e saj, profesore e fizikës në Indi, është krenare për arritjet e avokates Usha Vance.
“Unë jam shumë krenare për këtë, sepse nga familja ime është ngritur një intelektuale kaq e madhe”, thotë ajo.
Në biografinë e zyrës ligjore, ku punonte Usha Vance thuhet se ajo ka qenë e angazhuar në një studim mbi lirinë e medias në Universitetin Yale. Ajo gjithashtu ka punuar në një projekt mbi ndihmat për refugjatët irakianë. Usha Vance ka qenë praktikante në zyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts dhe në zyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh kur ai ishte në Gjykatën e Apelit.
Anita McBride, e cila ka qenë shefe e personelit për zonjën e parë Laura Bush, thotë se njerëzit të cilët e njohin avokaten Usha Vance flasin shumë mirë për të.
“Shumë inteligjente, kolege e mirë, shkonte mirë me të gjithë dhe thjesht është një punëtore e palodhur dhe një person i këndshëm. Kjo është pozitive për njerëzit që mbajnë poste publike. Mendoj se kjo tregon diçka për karakterin e tyre, se ata pëlqehen nga njerëzit”, thotë ajo.
Statusi i avokates Usha Vance si vajzë me prindër emigrantë mund të ndihmojë votuesit nga grupet e diskriminuara ta shohin bashkëshortin e saj në një dritë të re.
“Ai u përshtat me dietën time vegjetariane dhe mësoi se si të gatuante ushqime indiane për nënën time", thotë ajo.
“Ajo shërben si një shembull i vërtetimit të vlerave të tij dhe dëshirës për t’i ndihmuar komunitetet, që ndoshta mund të mos mendojnë se JD Vance i kupton ose do t’i mbështeste ato”, thotë Kelly Dittmar nga Universiteti Rutgers.
Çfarë mund të presë nëna e tre fëmijëve tani që është në qendër të vëmendjes?
“Prejardhja, trashëgimia, niveli i arsimit dhe punët që ka bërë një person publik tani janë tema për të cilat flitet në mënyrë më të hapur dhe më kritike”, thotë Anita McBride nga Universiteti Amerikan.
JD Vance thotë se bashkëshortja e tij "nuk është një person shumë politik". Pas përzgjedhjes së bashkëshortit të saj si kandidat për nënpresident nga zoti Trump, ajo dha dorëheqjen nga firma e saj ligjore dhe tani ka filluar të marrë pjesë në aktivitetet elektorale.