Lidhje

Izraeli kryen sulm në Khan Younis ndërsa negociatorët nxisin bisedimet për armëpushim


Trupat izraelite ndërmorrën të premten një sulm të ri në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës, me objektiv luftëtarë të Hamasit, ndërsa ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti bënë sërish përpjekje për të nxitur arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Urdhri i Izraelit për evakuim shkaktoi një tjetër largim masiv të palestinezëve nga rajonet e shkatërruara rëndë në lindje të Khan Younisit, zona ku shumë banorë ishin rikthyer më pak se dy javë më parë, pas sulmit të fundit të ushtrisë izraelite në qytet, gjatë muajit korrik,

Me mijëra vetë u larguan të enjten, duke marrë me vete sende bazike si bombola të vogla gazi, çanta shpine, dyshekë, tenda dhe batanije.

Zyrtarë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se besojnë se udhëheqësi i ri i sapo emëruar i Hamasit dhe një nga ideatorët e sulmit të 7 tetorit ndaj IzraelitYahya Sinwar, mund të jetë duke u fshehur në tunelet e Khan Younisit.

Ushtria tha të premten se avionët e saj luftarakë goditën 30 objektiva të Hamasit në qytet, duke goditur luftëtarë dhe pika të grumbullimit të armatimeve. Ushtria tha synon të sulmojë tunelet e Hamasit dhe infrastrukturën e grupit.

Ndërkohë, Izraeli tha të premten se ka rënë dakord të rifillojë bisedimet për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha në një deklaratë të premten herët se një ekip negociator do të dërgohet më 15 gusht "për të përmbyllur hollësitë për zbatimin e marrëveshjes”.

Njoftimi u publikua pasi Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke u bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të rifillojnë bisedimet më 15 gusht, për të mbyllur të gjitha boshllëqet e mbetura në marrëveshjen e propozuar dhe për të filluar zbatimin e saj pa vonesa të mëtejshme.

Presidenti amerikan Joe Biden, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi dhe Emiri i Katarit Tamim al-Thani, ndërmjetës në negociatat indirekte për t'i dhënë fund luftës shkatërruese në Gaza, i caktuan bisedimet për datën 15 gusht, që pritet të mbahen në Doha të Katarit ose në Kajro.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli me gazetarët me kusht që të mos i përmendej emri, tha se vetëm katër ose pesë fusha mbi zbatimin e marrëveshjes, mbeten për t'u zgjidhur midis palëve.

Zyrtari përmendi si shembull kohën e një shkëmbimi të planifikuar të të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael dhe pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Katari, thanë se kanë gati një propozim për ta paraqitur në bisedimet e javës së ardhshme për të zgjidhur çështjet e mbetura.

Kritikët e kryeministrit Netanyahu e akuzojnë atë për bisedime të ngadalta për t'i dhënë fund luftës në Gaza, e cila filloi më 7 tetor, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 njerëz në Izrael dhe morën peng 250 veta. Kundërsulmi i Izraelit në Gaza që atëherë ka lënë pas vetes rreth 40,000 të vrarë.

Nuk pati një përgjigje të menjëhershme nga Hamasi për ofertën e ndërmjetësuesve. Vrasja e udhëheqësit të tij politik javën e kaluar në Teheran ngriti tensionet në të gjithë rajonin, një përshkallëzim që shihet gjerësisht si një goditje ndaj bisedimeve për armëpushimin. Vrasja i është përshkruar gjerësisht Izraelit, megjithëse Izraeli nuk ka komentuar rreth saj.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se besojnë që Hamasi mund të rifillojë negociatat pavarësisht vrasjes më 31 korrik të Ismail Haniyeh, i cili kishte kryesuar bisedimet për grupin.

Shefi ushtarak i Hamasit, Yahya Sinwar, i cili besohet se po strehohet në bunkerët nëndheshëm në Gazë, mori përsipër udhëheqjen politike të grupit. Hamasi kishte edhe përfaqësues të tjerë, përveç zotit Haniyeh, të pranishëm në bisedime, të cilët mund të ndërhyjnë për zyrtarin e vrarë, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

XS
SM
MD
LG