Lidhje

Edhe Apeli i Posaçëm lë në fuqi “arrestin me burg” për ish ministrin Beqaj


Në Shqipëri Gjykata e Posaçme e Apelit, la në fuqi masën e arrestit me burg për ish ministrin e Shëndetësisë Iir Beqaj, duke hedhur poshtë kërkesën e këtij të fundit për një masë sigurie më të butë, kundrejt dhe garancive pasurore. Zoti Beqaj u arrestua në fillim të muajit korrik nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.

Bashkë me të u arrestua dhe Ermal Kurtulla, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, si dhe Alfred Nikolla, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve. “Arrest shtëpie” apo “detyrim paraqitje” u dhanë dhe për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat. Edhe për ta, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi të njejtat masa sigurie.

Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë çështje, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera. Sipas Prokurorisë së Posaçme, zoti Beqaj, si drejtues i SASPAC-ut, në bashkëpunim me Kurtullajnë “përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret”, duke përmendur të paktën tetë shërbime të prokuruara “me procedura jo të rregullta dhe me fitues të paracaktuara”.

Po sipas Prokurorisë zoti Beqaj ka fshehur interesat e tij në restorantin “Gzona”, në një nga zonat qendrore të kryeqytetit, i cili shfaqet sipas hetimeve, si një pikë ku transferoheshin në formë pagesash për shërbime, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga organizimi i eventeve, apo si një vend ku mbaheshin evente, të cilat nuk deklaroheshin, duke përdorur më pas emra personazh fizik apo shoqërisë, të cilat lëshonin fatura fiktive mbi shpenzimet e kryera ne këtë restorant.

Zoti Beqaj kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i SASPAC-ut, nëntorin e kaluar, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë vendit”, në kuadër të hetimeve për rastin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Për këtë çështje, ishin arrestuar më herët ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë që kishte fituar koncensionin. Në mars të këtij viti, zotit Beqaj iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”.

XS
SM
MD
LG