Lidhje

Lehtësim dhe reagime pas shkëmbimit të të burgosurve me Rusinë


Shkëmbimi historik i të burgosurve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë u prit me reagime të ndryshme, në të dy anën e Atlantikut. Materiali në vijim sjell detaje nga procesi i ndërlikuar i arritjes së marrëveshjes dhe reagimet për atë që shënoi shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që nga Lufta e Ftohtë.

Shkëmbimi historik i të burgosurve me Rusinë ishte fryt i bisedimeve të vështira dhe sekrete dhe një telefonate vendimtare nga presidenti Joe Biden, një orë përpara se ai t’i tregonte botës se kishte hequr dorë nga gara për tu rizgjedhur.

Përpjekja për lirimin e gazetarëve Evan Gershkoviç dhe Alsu Kurmasheva dhe 14 amerikanëve të tjerë, përfshinte bisedime të nivelit të lartë me Rusinë në një kohë kur marrëdhëniet Lindje-Perëndim janë në konflikt të hapur për luftën në Ukrainë.

“Natyra e jashtëzakonshme e angazhimit diplomatik tregon se edhe pse fuqitë perëndimore dhe Rusia kanë mosmarrëveshje, ka ende hapësirë për bashkëpunim diplomatik. Është një fije shprese. Pyetja është nëse vendet perëndimore do të përdorin ndikimin e tyre diplomatik, presionin dhe kapitalin diplomatik për të kërkuar lirimin e disidentëve të tjerë”, thotë Viktor Peskin nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Presidenti rus shtrëngon duart me Vadim Krasikovin pas lirimit nga një burg gjerman ku mbahej i dënuar për vrasje
Presidenti rus shtrëngon duart me Vadim Krasikovin pas lirimit nga një burg gjerman ku mbahej i dënuar për vrasje


Ndërkaq, profesori i Universitetit ‘Columbia’ në Nju Jork, Timothy Frye vë theksin tek dallimi mes të burgosurve të shkëmbyer.

“Është e rëndësishme të theksohet asimetria morale në llojin e të burgosurve që janë liruar. Të burgosurit që u liruan nga Rusia, janë kryesisht gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe protestues kundër luftës. Nga ana ruse, janë hakerat kibernetikë, agjentët që angazhohen për vrasje dhe në një rast, një i burgosur që ishte dënuar për vrasje në Gjermani dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm”, thotë Profesori Frye.

Zytarë amerikanë e kanë pranuar se kjo nënkuptonte gjithashtu mbështetje të fuqishme tek aleatët evropianë që hezitonin t'i dorëzoheshin kërkesave të Moskës.

Kushti më i madh i Rusisë ishte lirimi i Vadim Krasikovit, rusit të burgosur në Gjermani për vrasjen e një ish-komandanti rebel çeçen në Berlin në vitin 2019.

“Ishte një vendim shumë i vështirë. Nga këndvështrimi ynë, dhurata e lirisë dhe e jetës së të burgosurve në Rusi dhe Bjellorusi ishte më e rëndësishme. Ne e kemi shqyrtuar seriozisht faktin që po lirojmë një të dënuar për vrasje, por e bëmë këtë që këta 15 persona të kenë një jetë në liri, një perspektivë të mirë për të ardhmen e tyre”, tha ministrja e brendshme gjermane, Nancy Faeser.


Shkëmbimi i të burgosurve me Rusinë, sidomos i gazetarëve të liruar, ka gëzuar qytetarët amerikanë.

“Unë mendoj se kishte ardhur koha. Gazetari Gershkovich nuk duhej të ishte arrestuar në radhë të parë. Kjo ishte thjesht politike. Putini e bën këtë gjatë gjithë kohës”, thotë Jack Marrow, banor i Filadelfias.

“Gazetarët nuk duhet të jenë kurrë në burg”, thotë Irene Foley gjithashtu nga Filadelfia.

Banori i Moskës Aleksandri është gjithashtu i gëzuar për lirimin e të burgosurve politikë rusë, por ai shton:

“Këta ishin vetëm figurat më të famshme që u liruan, ndërsa ata që janë më pak të njohur janë ende në burg. Është skandaloze që kaq shumë njerëz janë në burg”.

Një tjetër moskovit, Sergei, vlerësoi kthimin e të burgosurve rusë duke thënë se ata nuk duhet të kalojnë dënime të gjata jashtë vendit.

“Është mirë që ka barazi, disa njerëz janë në burg atje dhe disa njerëz janë këtu, në mënyrë që ne të mund t'i kthejmë njerëzit tanë me lehtësi”, tha ai.

Për të arritur deri te lirimi i të burgosurve një momentet më dramatike ndodhi kur e tërë Amerika ishte i përqëndruar tek lajmi nëse Presidenti Biden po tërhiqej nga gara zgjedhore. Pikërisht në ditën kur ai njoftoi largimin nga gara, zoti Biden ka telefonuar homologun e tij slloven i cili më pas liroi dy nga rusët, të cilët ishin dënuar nga një gjykatë për spiunazh. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo e çoi Moskën drejt pajtimit për këmbimin e të burgosurve.

XS
SM
MD
LG