Lidhje

Kosovë: Vdes një grua 41 vjeçare në Graçanicë nga pasojat e dhunës në familje


Autoritetet lokale në Graçanicë afër Prishtinës, thanë se një grua e lindur në vitin 1983, vdiq të premten nga pasojat e plagëve që i kishte shkaktuar bashkëshorti i saj dy ditë më parë.

Gruaja që u identifikua me inicialet M.Zh. nga fshati Gushtericë e Poshtme e komunës së Graçanicës, ndërroi jetë në spital ku ishte dërguar me 31 korrik me plagë të rënda në kokë.

Bashkëshorti është arrestuar dhe të premten një gjykatë në Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji.

Veprimtarja për të drejtat e grave dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo” me seli në Graçanicë , Milica Stojanoviç, shkroi në rrjetet sociale se “ajo u vra vetëm pse ishte grua”.

“Një grua më pak, një vrasës më shumë!”, shkroi presidentja e Kosovws, Vjosa Osmani duke u shprehur “e tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja”.

“Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar. Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të dënimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me dënime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj’ shkroi presidentja Osmani.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh e tronditur me lajmin për vdekjen e gruas së rrahur nga bashkëshorti.

“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngremë vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, shkroi ministrja Haxhiu në Facebook.

Rrjeti i Organizatave të Grave në Kosovë u shpreh i tronditur me vrasjen.

“Ne e dënojmë ashpër këtë akt të femicidit dhe kërkojmë me ngulm që institucionet e vendit – prokuroria, gjykatat dhe organet e tjera të drejtësisë – të trajtojnë me seriozitetin maksimal këto raste. Derisa dhuna vazhdon të marrë jetët e grave tona, reagimi institucional mbetet i dobët dhe i pamjaftueshëm. Kjo është një dështim i rëndë që kërkon ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi të qartë”, thuhet në një komunikatë të këtij rrjeti.

Ky është rasti i tretë i vrasjes së grave në Kosovë gjatë këtij viti.

Në muajin prill, dy gra, një në Pejë e tjetra në Ferizaj, u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Që nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.

XS
SM
MD
LG