Gazetari Evan Gershkovich, ish-marinsi Paul Whelan dhe një numër amerikanësh të tjerë u liruan si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish në shkallë të gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, më i madhi në historinë post-Sovjetike.
Mes të liruarve është edhe gazetarja e Radios Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva.
Agjencia Associated Press njofton se një person që kishte folur në kushte anonimiteti pasi detajet nuk janë bërë të ditura publikisht, nuk pranoi të përmendte emrat personave të përfshirë në marrëveshje.
Por mes amerikanëve që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të arrestuar padrejtësisht nga Rusia janë Gershkovich i gazetës Wall Street Journal dhe Paul Whelan, një drejtues i një firme sigurie nga Miçigani.
Turqia, e cila tha se po koordinon këmbimin, tha se Gershkovich dhe Whelan janë mes të liruarve.
Të dy ishin dënuar me akuza spiunazhi që qeveria amerikane i ka konsideruar të pabaza. Shkëmbimi i fundit mes Uashingtonit dhe Moskës në dy vitet e fundit, ishte ai i dhjetorit 2022 kur basketbollistja amerikane Brittney Griner u lirua në këmbim të trafikantit famëkeq të armëve, Viktor Bout.
Presidenca turke tha se 26 të burgosur nga shtatë vende janë të përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve.
Sipas saj, dhjetë të burgosur përfshirë dy të mitur, ishin dërguar në Rusi, 13 të burgosur në Gjermani dhe tre të burgosur në Shtetet e Bashkuara.
Për javë të tëra po qarkullonin zëra për një këmbim të mundshëm, për shkak të disa zhvillimeve të pazakonta, përfshirë një gjyq të përshpejtuar dhe dënim me 16 vjet burg për gazetarin Gershkovich, që u dënua nga Uashingtoni.
Ndërkohë ditët e fundit, disa figura të tjera të burgosura në Rusi sepse kishin folur kundër luftës në Ukrainë apo kishin bashkëpunuar me udhëheqësin e opozitës ruse Alexei Navalny, i cili tashmë ka vdekur, ishin zhvendosur nga burgu në vende të panjohura.
Gershkovich u arrestua më 29 mars 2023, ndërsa ishte në një udhëtim pune në qytetin Yekaterinburg në Malet Urale.
Autoritetet ruse pretenduan, pa ofruar asnjë provë, se ai po mblidhte informacion sekrete për SHBA-në.
Zyrtarët amerikanë bënë një ofertë për të shkëmbyer zotin Gershkovich vitin e kaluar, e cila u refuzua nga Rusia dhe që atëherë administrata e Presidentit Joe Biden nuk kishte bërë publike asnjë marrëveshje të mundshme.
Whelan u arrestua në dhjetor 2018 pasi shkoi në Rusi për të marrë pjesë në një dasëm. Ai u dënua nën akuza për spiunazh, të cilat ai dhe Uashingtoni i kanë hedhur poshtë si të rreme. Edhe ai po vuante një dënim me 16 vjet burg.