Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombetar shprehën shqetësimin me vonesat në publikimin e të dhënave të detajuara për zgjedhjet nga autoritetet zgjedhore në Venezuelë , tha zëvendës- zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel të mërkurën në konferencën e përditshme të shtypit.
Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro tha të mërkurën se forca e tij politike është e gatshme të paraqesë të gjitha të dhënat e votimit të zgjedhjeve të së dielës dhe se i kishte kërkuar gjykatës më të lartë të vendit që të siguronte që edhe partitë e tjera e tjera të bëjnë të njëjtën gjë
Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të industralizuara (G7) miratuan një deklaratë në të cilin shprehin shqetësim mbi rezultatin e shpallur të zgjedhjeve në Venezuelë, që ka nxitur protesta në mbarë vendin.
Presidenti Nicolas Maduro pretendoi se fitoi zgjedhjet, por opozita e ka kundërshtuar rezultatin dhe ka deklaruar se të dhëna të pavarura tregojnë se fitues ishte kandidati i saj.
Ministrat e G7-ës i bënë thirrje përfaqësuesve të Venezuelës që të bëjnë publike të gjitha të dhënat e numërimit të votave dhe që të ndajnën çdo informacion me opozitën dhe vëzhguesit e pavarur.
Presidencën e radhës së 2024 po e mban Italia. Pjesë e G7-ës janë edhe Gjermania, Franca, Britania, Kanadaja, Japonia dhe Shteteve të Bashkuara.
Të martën, Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i bënë thirrje të qeverisë së Venezulës të bëjë publike të dhëna të detajuara të votimeve për zgjedhjet presidenciale.
Në një deklaratë të përbashkët pas një telefonate gjatë së cilës diskutuan zgjedhjet në Venezuelë, Presidenti Biden dhe Presidenti Lula da Silva, aleat i zotit Maduro, thanë se “bien dakort për nevojën e publikimit të menjëhershëm të të dhënave të plota, transparente dhe të detajuara në nivel qendrash votimi nga autoritetet zgjedhore venezueliane”.
Në rrugët e Venezuelës kanë shpërthyer protestat, në të cilat i bëhet thirrje zotit Maduro që të pranojë humbjen e zgjedhjeve, edhe pse autoritetet zgjedhore e kanë shpallur atë fitues për një mandat të tretë me 51 për qind të votave.
Opozita thotë se institucioni zgjedhor është nën urdhrat e një qeverie diktatoriale. Sipas opozitës, kandidati isaj,Edmundo Gonzalez, siguroi mbi dyfishin e votave.