Pas më shumë se 48 orë përpjekje për shuarjen e vatrave të shumta të zjarrit këtu në Shëngjin, forcat operacionale, të mbështetura nga ajri edhe nga helikoperët, kanë arritur të normalizojnë sot situatën duke shmangur rrezikun për banorët, bizneset dhe pushuesit e plazhit të Shëngjinit.
Gjatë gjithë natës, forca të shumta zjarrfikëse nga të paktën 6 bashki të Shqipërisë, së bashku me forcat e ushtrisë dhe banorët vendas punuan për shuarjen e vatrave të zjarrit duke i vënë nën kontroll në orët e paradites.
Dy helikopterët e specializuar, të ardhur nga Italia, rifilluan punën gjatë orëve të paradites për shuarjen e vatrave të mbetura të zjarrit, me rrezikshmëri për t’u riaktivizuar për shkak të erërave të forta që vazhdojnë në bregdetin e Shëngjinit.
Shuarja e vatrave të zjarrit ka nxjerr në pah edhe dëmet që u shkaktuan në kurorën e pishave të Shëngjinit, në zonën turistike të Ranës së Hedhun, por edhe në mjediset brenda bashkisë së Shëngjinit. Autoritetet pohojnë se ka dëme të vogla në disa banesa dhe biznese dhe se dëmi më i madh është në kurorën e gjelbërt të Shëngjinit.
Gjatë paradites autoritetet vendore bënë thirrje që të rikthehen pushuesit dhe banorët, të cilët u evakuan një ditë më parë për shkak të zjarrit që arriti deri tek vija bregdetare, duke i mbuluar me tym dhe djegur çadrat e disa resorteve turistike në Shëngjin.
Pushuesi nga Gjilani i Kosovës, Besnik Çiku, thotë se situata u normalizua pas ndërhyrjes se forcave të policisë dhe ushtrisë.
“Kanë ndërhyrë mendoj në kohë dhe me mjetet që ka shteti shqiptar. Kemi parë që edhe ushtria u mobilizu me ato mundësitë e veta. Kështu që ja kanë dalë. Njerëzit u shqetësuan, dikush më shumë, dikush më pak”, thotë ai.
Ndërsa banori i Shëngjinit, Beso Bejtja, thotë se situata e një dite më parë ishte shumë e vështirë.
“Nga situata e djeshme e zjarrit ka patur shumë panik. Kanë ardhur forcat e ushtrisë dhe policisë dhe e kanë stabilizuar disi situatën. Por dje situata ka qenë shumë katastrofë”, thotë ai.
Gjatë ditës së djeshme, për shkak të situatës së rënduar, qeveria shqiptare i dërgoi një kërkesë për ndihmë Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, i cili dërgoi nga Italia dy helikopterë të specializuar për shuarjen e zjarreve, të cilët u bashkuan me një helikopter të Forcave të Armatosura të ushtrisë shqiptare.
Prej më shumë se një muaj, thuajse i gjithë territori i Shqipërisë është përfshirë nga vatra zjarri në sipërfaqet pyjore, kjo kryesisht për shkak të temperaturave të larta. Çdo ditë regjistrohen më shumë se 20 vatra zjarri, për shuarjen e të cilave angazhohen përveç forcave zjarrfikëse edhe forcat dhe mjetet e ushtrisë.
Shqipëria ka mjete të pakta të specializuara për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Shërbimi zjarrfikës ka vetëm 147 automjete zjarrfikëse, pjesa më e madhe të vjetruara, si dhe rreth 1300 punonjës, por asnjë avion zjarrfikës.