Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, diskutoi të mërkurën me partitë politike, por pa pjesëmarrjen e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për datën e mundshme të zgjedhjeve të rregullta parlamentare në vend.
Sipas ligjit zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit. Legjislatura aktuale u mblodh me 22 mars të vitit 2021.
“E para është 26 janari pastaj dy shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti meqenëse ligji ynë parasheh që vetëm të dielave mund të organizohen zgjedhjet. Prandaj diskutimi ynë ishte vetëm në kontekst të këtyre katër datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preference sepse nuk është dallimi shumë i madh po flasim për pak javë. Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se në takim nuk pati parti që shprehën vullnet për zgjedhje të parakohshme.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë thanë se kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen me 26 janar.
Në takimin këshillues nuk mori pjesë kryetari i lëvizjes Vetëvendosje njëherësh kryeministri Albin Kurti dhe Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se nuk i di arsyet e mospjesëmarrjes së kryeministrit dhe ndonëse lëvizja Vetëvendosje ka dashur të dërgojë për këshillime nënkryetarin e partisë Glauk Konjufca, por pjesëmarrja e tij u refuzua, meqë ftesa u ishte bërë kryetarëve të partive politike.
“Sot nuk ka qenë prezentë kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, ne nuk i dimë arsyet besoj se mund ta pyesni atë dejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni. Kishte edhe dy mungesa aty, Lista Serbe, natyrisht nuk kishte përgjigje dhe nuk kemi pritur një gjë të tillë dhe partia e Elbert Krasniqit për kundër faktit që e ka konfirmuar paraprakisht”, tha presidentja Osmani.
Në një përgjigje nga zyra e kryeministrit të Kosovës thuhet se në kohën e mbajtjes së këshillimeve, kryeministri Kurti ishte i ftuar si mysafir nderi në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë. “Dreka është caktuar me 10 korrik dhe konfirmimi është bërë para tre javësh. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca, gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme”, thuhet në përgjigje të qeverisë duke nënvizuar se kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme.
“Unë i ftoj njëherë në katër vjet për zgjedhje të rregullta, nuk është që shpesh fton presidentja për takime ose konsultime të tilla për tema të interesit nacional mirëpo secili kryetar i partisë i cakton prioritetet e veta kështu që kryeministri ka përcaktuar prioritetet e veta. Kështu që këtë përgjigje ua ka dhënë juve ne nuk e kemi këtë përgjigje, një përgjigje që e ka pas më herët ka qenë që nuk është në Kosovë mirëpo qenka”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Të dy udhëheqësit vitin e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë të cilët kanë kritikuar disa nga veprimet e qeverisë kundrejt situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Me 14 shkurt të vitit 2021, lëvizja Vetëvendosje së bashku me lëvizjen Guxo të presidentes Vjosa Osmani dolën fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar mbi 50 për qind të votave. Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025 dhe nëse zgjedhjet mbahen sipas kalendarit të rregullt zgjedhor, qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të jetë e para që përmbushë mandatin e plotë katër vjeçar.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse kjo do të ndodhë, meqë në lëvizjen Vetëvendosje janë dëgjuar zëra që preferojnë mbajtjen e zgjedhjeve në vjeshtën e këtij viti.
Në muajin maj Partia Demokratike në opozitë propozoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe që ato të mbahen në fillim të muajit korrik. Megjithëse propozimi u mbështetë nga partia në pushtet, dy partitë tjera në opozitë kundërshtuan një hap të tillë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si kusht për shpërndarjen e parlamentit.