Lidhje

Gara e zonjës Harris për Shtëpinë e Bardhë, ngushtohet rrethi i emrave të përfolur për postin e nënpresidentit


Lista e kandidatëve për postin e nënpresidentit në fushatën e demokrates Kamala Harris për Shtëpinë e Bardhë është ngushtuar, ndërsa guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer nuk janë më në listën e kandidatëve të mundshëm.

Vendimi për kandidatin e pritshëm për nënpresident po ndiqet me vëmendje, ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris siguroi mbështetjen e demokratëve duke u bërë kandidatja e pritshme për Shtëpinë e Bardhë, pasi Presidenti Joe Biden tërhoqi kandidaturën për një mandat të dytë presidencial një javë më parë.

Kandidatët për postin e nënpresidentit mund të zgjidhen në mënyrë të tillë që të zgjerojnë mbështetjen mes votuesve. Zonja Harris po shqyrton një listë kandidatësh të mundshëm, kryesisht burra të bardhë.

Guvernatori Cooper u tërhoq nga lista e kandidatëve të mundshëm për postin e nënpresidentit në dyshen demokrate për Shtëpinë e Bardhë, duke thënë në një deklaratë të hënën se: “Ishte nder për mua që më konsideruan për këtë post. Nuk është koha e duhur për Karolinën e Veriut dhe për mua që të kandidoj”.

Po të hënën, guvernatorja Whitmer tha në programin televiziv “CBS Mornings” se ajo “nuk ishte pjesë e vetingut” për postin e kandidates për nënpresidente në fushatën e demokrates Kamala Harris për Shtëpinë e Bardhë.

“Kam komunikuar me të gjithë, përfshirë popullin e Miçiganit, se do të qëndroj guvernatore deri në fund të mandatit tim në fund të vitit 2026”, tha zonja Whitmer.

Zonja Harris e shfrytëzoi fundjavën për të zhvilluar biseda private me disa prej kandidatëve, mes tyre edhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, sipas dy burimeve.

Mes emrave të përfolur janë edhe guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, Senatori i Arizonës Mark Kelly, guvernatori i Minesotës, Tim Walz dhe Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg. Kandidatët e mundshëm kanë dalë nëpër emisione televizive kombëtare për të treguar se çfarë i ofrojnë fushatës demokrate.

Zoti Buttigieg, i konsideruar edhe nga aleatët e tij me shanse të vogla për t’u përzgjedhur, zhvilloi një bisedë private me zonjën Harris lidhur me mundësinë e kandidaturës për nënpresident, thanë dy burime.

Demokrati Buttigieg zhvilloi gjithashtu një telefonatë me një grup donatorësh të kohës kur kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, ku sipas burimeve, ishte shprehur se ishte i interesuar për kandidaturën e nënpresidentit, por do të respektonte procesin.

XS
SM
MD
LG