Lidhje

Britani, turma e dhunshme përplaset me policinë pranë vendit ku u vranë 3 vajzat


Protestuesit e ekstremit të djathtë të nxitur nga zemërimi dhe lajmet e rreme në internet hodhën shishe dhe gurë ndaj oficerëve dhe i vunë flakën një furgoni policie të martën përpara një xhamie në Anglinë veriperëndimore, pranë vendit ku tre vajza u goditën për vdekje me thikë një ditë më parë.

Kryeministri Keir Starmer dënoi aktin "rrugaçëror" dhe tha se turma keqpërdori atë që ishte një vigjilje paqësore e ndjekur nga qindra persona në qendër të Southport-it për të mbajtur zi për të vdekurit dhe 10 plagosurit, shtatë prej të cilëve ishin në gjendje kritike.

Policia tha se turma e dhunshme besohej të ishin mbështetës të Ligës së Mbrojtjes Angleze, një grup i ekstremit të djathtë, dhe trazirat u frymëzuan nga thashethemet për identitetin e të dyshuarit adoleshent, të arrestuar me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje.

Furgoni i policisë i djegur nga turma
Furgoni i policisë i djegur nga turma

“Ka pasur shumë spekulime dhe hipoteza rreth statusit të një mashkulli 17-vjeçar, i cili aktualisht mbahet në paraburgim nga policia dhe disa individë po e përdorin këtë për të sjellë dhunë dhe trazira në rrugët tona”, tha ndihmës shefi i policisë në Merseyside, Alex Goss.

Policia tha më parë se emri i një të dyshuari që qarkullonte në llogaritë e mediave sociale ishte i pasaktë dhe djali kishte lindur në Britani, në kundërshtim me pretendimet në internet se ai ishte një azilkërkues.

Më herët u identifikuan tre vajzat që u vranë në një sulm me thikë në një kurs jashtëshkollor vallëzimi me muzikën e këngëtares Taylor Swift. Policia mori në pyetje të dyshuarin 17-vjeçar që u arrestua pas sulmit ku u plagosën edhe 10 individë të tjerë.

Nëntë vjeçarja Alice Dasilva Aguiar vdiq të martën nga plagët ndërsa Elsie Dot Stancombe, 7 vjeçe dhe Bebe King 6 vjeçe vdiqën të hënën, tha policia.

Tetë fëmijë dhe dy të rritur mbeten të shtruar në spital pas sulmit në Southport, në Anglinë veriperëndimore. Të dy të rriturit dhe pesë nga fëmijët janë në gjendje kritike.

Lulet e vendosura në rrugën Hart, në Southport (30 korrik 2024)
Lulet e vendosura në rrugën Hart, në Southport (30 korrik 2024)


Këngëtarja amerikane Taylor Swift shkroi në Instagram se ishte "jashtë mase e tronditur" dhe ende po përjetonte "tmerrin" e ngjarjes.

"Këta ishin fëmijë të vegjël në një klasë vallëzimi", shkroi ajo. "E kam shumë të vështirë të gjej fjalët për të shprehur ngushëllimet për familjet e tyre."

Njerëzit vendosën lule në shenjë nderimi pranë vendit të ngjarjes, në qytetin pranë Liverpulit.

Dëshmitarët e përshkruan ngjarjen si një skenë "nga një film horror" teksa fëmijët e gjakosur përpiqeshin t’i shpëtonin sulmit pak para mesditës të hënën. I dyshuari u arrestua menjëherë më pas. Policia tha se ai kishte lindur në qytetin Kardif të Uells-it dhe kishte vite që jetonte në një fshat rreth 5 kilometra nga Southport-it. Ndaj tij ende nuk është ngritur akuzë.

Policia tha se nuk po e trajton sulmin e së hënës si të lidhur me terrorizmin dhe nuk po kërkon asnjë të dyshuar tjetër.

"Ne besojmë se të rriturit që u plagosën po përpiqeshin të mbronin fëmijët që po sulmoheshin", tha shefja e policisë, Serena Kennedy.

Një grup adhuruesish të këngëtares Swift, në Mbretërinë e Bashkuar, nisën një mbledhje fondesh në internet për të ndihmuar familjet e viktimave. Brenda 24 orëve janë mbledhur 128 mijë dollarë.

B
B

Sulmi është ngjarja më e fundit tronditëse në një vend ku rritja e kohëve të fundit e krimeve me thikë ka ngjallur ankth. Kjo ka shtuar thirrjet që qeveria të bëjë më shumë për të trajtuar dhunën nga armë të tilla të cilat janë më të përdorurat në vrasjet e regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Keir Starmer u përball me thirrje kundër tij ndërsa vizitoi vendin e krimit dhe vendosi një kurorë me lule dhe me një shënim të shkruar me dorë që thoshte: “Zemrat tona janë thyer, nuk ka fjalë për një humbje kaq të thellë. Mendimet e kombit janë me ju.”

"Sa fëmijë të tjerë duhet të vriten?" Thërriti një person bërtiti ndërsa Kryeministri Starmer po hipte në makinë. "Fëmijët tanë kanë vdekur dhe ju po largoheni?"

Zoti Starmer u tha gazetarëve më herët se ai është i vendosur të marrë masa ndaj sulmeve të konsiderueshme me thikë, por tha se kjo nuk ishte një ditë për të bërë politikë.

Kryeministri falënderoi policinë, zjarrfikësit dhe ekipet e ambulancës që reaguan, duke thënë se ishte "tepër krenar" për përgjigjen e tyre.

"Ka fëmijë sot që kanë shpëtuar për shkak të asaj që bëtë dje", tha ai.

Sulmi më i rëndë ndaj fëmijëve në Britani ndodhi në vitin 1996, kur 43-vjeçari Thomas Hamilton qëlloi për vdekje 16 fëmijë dhe mësuesen e tyre në një kopsht në Danblejn të Skocisë. Mbretëria e Bashkuar më pas ndaloi pronësinë private të pothuajse të gjitha armëve.

Të shtënat masive dhe vrasjet me armë zjarri janë jashtëzakonisht të rralla në Britani. Thikat janë përdorur në rreth 40% të vrasjeve nga ai vit deri në mars të vitit 2023.

XS
SM
MD
LG