Lidhje

Prokuroria e Posaçme jep hollësi mbi arrestimin e drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës


Ish drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka
Ish drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme bëri të ditur të martën se drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar një ditë më parë, dhe tre personat e tjerë të shpallur në kërkim, ish oficerja e Policisë gjyqësore Eriona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe sipërmarrësi Astrit Vladi, kanë ndërhyrë duke ofruar dhe marrë favore, në disa raste hetimesh penale, për të lehtësuar pozitat e personave të akuzuar. “Në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre”, shpjegon njoftimi zyrtar.

Bëhet fjalë për 8 raste që sipas Prokurorisë janë arritur të vërtetohen. Të paktën katër raste lidhen me ë që njihet si çështja Toyota Auris, dy automjeteve të mbërritura nga Belgjika në Portin e Durrësit, në vitin 2018, në brendësi të të cilave u gjetën 3.4 milionë euro.

Sipërmarrësi Vladi është vëllai i njërit prej dy personave të dyshuar për rastin, ndërsa avokati Çela ka qenë përfaqësuesi i tyre ligjor. Ndërkohë që ish oficerja e Policisë gjyqësore Dautaj, mësohet se ka qenë e përfshirë në hetimet e çështjes.

Dy raste te tjera lidhen me çëshje të cilat kanë qenë nën hetim nga Prokuroria e Vlorës, e që mesa duket janë ato ku mund të jetë përfshirë drejtuesi i Prokurorisë Zarka, i cili mendohet të jetë përfshirë dhe në një rast të tretë. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme ai dyshohet për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy here; “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë””. Vetëm një muaj më parë, ai kaloi me sukses fazën e parë të procesit të rivlerësimit, ndërsa u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Sipas mediave vendas zbulimi i këtij rasti është bërë i mundur pas zbërthimit nga ana e autoriteteve të huaja, të telefonave bisedvae të zhvilluara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky dhe EncroChat. “Për një periudhë disa mujore janë kryer veprimet e nevojshme hetimore duke përfshirë marrjen e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrjen e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimin, zbulimin dhe administrimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe analizimin me hollësi të të dhënave dhe dokumentacionit që është administruar”, bëri të ditur Prokuroria e Posaçme.

XS
SM
MD
LG