Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i bënë thirrje të martën qeverisë së Venezulës të bëjë publike të dhëna të detajuara të votimeve për zgjedhjet presidenciale.
Autoritetet zgjedhore kanë thanë se zgjedhjet i fitoi Presidenti Nicolas Maduro, por opozita thotë se kandidati i tyre, Edmundo Gonzalez, siguroi mbi dyfishin e votave në zgjedhjet e së dielës.
Në një deklaratë të përbashkët pas një telefonate gjatë së cilës diskutuan zgjedhjet në Venezuelë, Presidenti Biden dhe Presidenti Lula da Silva, aleat i zotit Maduro, thanë se “bien dakort për nevojën e publikimit të menjëhershëm të të dhënave të plota, transparente dhe të detajuara në nivel qendrash votimi nga autoritetet zgjedhore venezueliane”.
Dy presidentët thanë se rezultati “përfaqëson një moment jetik për demokracinë në këtë hemisferë”.
Kritikat ndaj zoti Maduro janë shtuar që kur autoritetet zgjedhore e shpallën atë fitues të zgjedhjeve të së hënës.
Pas protestave të dhunshme të një dite më parë, bizneset në kryeqytetin e Venezuelës ishin sot të mbyllura dhe rrugët në Karakas në mëngjes ishin të qeta. Megjithatë, opozita ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kundërshtojë shpalljen e Presidentit Nicolas Maduro si fitues të zgjedhjeve të mbajtura në fundjavë. Disa zyrtarë të vendeve të tjera të Amerikës Latine nuk e kanë njohur fitoren e zotit Maduro. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni ka shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian.
Në kryeqytetin e Venezuelës rrugët ishin të qeta sot në mengjes, por gjithandej shiheshin mbeturinat e protestave të dhunshme të një dite më parë.
“Jemi të mbyllur sepse gjithçka është mbyllur. Nuk ka as transport, kështu që sot nuk do të punojmë”, thotë Fernando De Farias, pronar i një biznesi në kryeqytet.
Mbështetësit e opozitës dolën në rrugë menjëherë pasi Këshilli Kombëtar Zgjedhor shpalli fitues Presidentin aktual Nikola Maduro.
Tensionet mund të rikthehen ndërsa përkrahës të të dy kampeve, presidentit dhe opozitës, pritet të dalin sërish në rrugë në protesta.
Udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, tha se numërimi i votave tregon se kandidati i opozitës ka fituar thellë.
"Me votat e mbetura, edhe nëse Këshilli Kombëtar Zgjedhor do t'i jepoter ato të gjitha presidentit Maduro, ato nuk do të mjaftonin për të mundur kandidatin tonë Edmundon Gonzalez. Dallimi është aq i madh, diferenca është dërrmuese”, tha zonja Machado.
Autoritetet zgjedhore thanë të hënën se zoti Maduro kishte fituar një mandat të tretë me 51% të votave, duke zgjatur një çerek shekulli të sundimit socialist.
Në fjalimin e tij drejtuar kombit të hënën në mbrëmje, Presidenti tha se rezultatet e zgjedhjeve janë një çështje e përfunduar.
"Opozita do të krijojë një krizë politike. Nuk kanë mundur dhe nuk do të munden, por këto rrethana janë një mësim për ne", tha zoti Maduro.
Tensionet vazhduan edhe në orët e para të mëngjesit pasi një grup mbështetësish të opozitës u mblodhën para ambasadës argjentinase.
Turma u mblodh pasi udhëheqësja e opozitës Maria Machado tha se forcat e sigurisë ka mundësi të kryejnë bastisje brenda ambasadës. Në Ambasadën e Argjentinës janë strehuar për muaj të tërë një pjesë e stafit të opozitës, duke përfshirë udhëheqësin e fushatës së zonjës Machado. Kjo ndodhi pasi autoritetet lëshuan urdhër-arreste kundër tyre.
Ndërkaq, nëntë vende të Amerikës Latine kërkuan rishikim të të dhënave të votimit. Disa udhëheqës thanë se nuk do ta njihnin rezultatin derisa të vërtetohej si e saktë, ndërsa Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino njoftoi pezullimin e marrëdhënieve diplomatike me Karakasin.
Presidenti i Brazilit Luiz da Silva, që vlerësohet si udhëheqës për një kohë të gjatë i së majtës në rajon, nuk e përgëzoi zotin Maduro pas shpalljes së fitores në zgjedhje.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën në Tokio se Uashingtoni ka "shqetësime serioze" në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.
"Është me rëndësi kritike që çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe që autoritetet zgjedhore të publikojnë tabelën e votave me të gjitha detajet. Komuniteti ndërkombëtar po e ndjek situatën me shumë vëmendje dhe do të përgjigjet në përputhje me rrethanat", tha Sekretari Blinken.
Presidenti kinez Xi Jinping e uroi zotin Maduro, ndërsa Kremlini thotë se opozita venezueliane duhet të pranojë humbjen dhe të përgëzojë Presidentin Maduro për fitoren në zgjedhje.
Një analist megjithatë thotë se për të realizuar ndryshimin që kërkohet nga protestuesit në Venezuelë, nevojitet trysni e brendshme dhe jo nga vendet e tjera.
“Unë mendoj se ndryshimi, nëse ndodh, do të duhet të vijë nga brenda Venezuelës dhe jo nga jashtë. Unë nuk mendoj se kjo çështje ka përfunduar. Maduro nuk sundon i vetëm. Si ai ashtu edhe figurat kryesore në rrethin e tij të ngushtë e dinë se ai nuk do të jetë në gjendje të qeverisë në një vend në flakë", thotë Geoff Ramsey, ekspert i Këshillit të Atlantikut për Venezuelën.
Megjithatë zoti Ramsey thotë se qeveria ka të ngjarë të përshkallëzojë shtypjen ndaj opozitës gjatë ditëve në vijim.