Në Venezuelë, Presidenti Nicolas Maduro dhe kundërshtari opozitar Edmundo Gonzales pretenduan të dy të hënën se ishin fitues të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa Uashingtoni dhe qeveri të tjera të huaja kanë ngritur dyshime mbi rezultatin zyrtar të votimeve, që la në pushtet presidentin aktual.
Presidenti i Venezuelës Nocolas Maduro fitoi zgjedhjet për një mandat të ri, njoftuan organet zgjedhore të hënën, pas votimeve që opozita kishte shprehur besim se do t’i fitonte.
Këshilli Këmbëtar i Zgjedhjeve bëri publik rezultatin e zgjedhjeve 6 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, duke deklaruar se zoti Maduro fitoi 51 për qind të votave, kundrejt 44 për qind të kandidatit të opozitës Edmundo González.
Të dhënat e publikuara nga insitutucioni qëndror i zgjedhjeve nuk përmbanin rezultatet e çdo njësie votimi.
Duke iu drejtuar të hënën në mëngjes mbështetësve në një tubim në kryeqytetin Karakas, zoti Maduro premtoi “paqe dhe siguri”.
“Unë jam Nicolas Maduro Moro, presidenti i rizgjedhur i Republikës së Venezuelës”, tha ai.
Kryetarja e opozitës Maria Corina Machado nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se fitues ishte kandidati opozitar González me 70 për qind të votave.
“Dum t’i themi popullit të Venezuelës dhe të gjithë botës se Venezuela ka zgjedhur një president të ri dhe ai është Edmundo González”, tha ajo.
Ndërsa zoti Maduro festonte fitoren për një mandat të tretë, shumë qeveri të huaja bënë thirrje për transparencë mbi procesin e numërimit të votave.
“Kemi shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit të Venezuelës”, u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.
Gjatë fjalimit të tij, zoti Maduro hodhi poshtë kritikat nga qeveritë e huaja, ndërsa e cilësoi institucionin zgjedhor në Venezuelë, që kontrollohet nga besnikë të tij, si më të besueshëm se sa autoritetet zgjedhore në vende të tjera, si në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric tha se ishte e vështirë të besohej rezultati i zgjedhjeve.
Edhe qeveri të vendeve të tjera, si Argjentina, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja, Paraquaji, Peruja, dhe Uruguaji bënë thirrje përmes një deklarate të përbashkët për transparencë mbi numërimin e votave, si e vetmja mënyrë për t’ u siguruar se të dhënat e shpallura pasqyrojnë dëshirën e votuesve venezuelianë.
Shefi për Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se qasja ndaj të dhënave të rezultateve të votimit në çdo qendër zgjedhore është “jetike” dhe se vullneti i popullit të Venezuelës “duhet të respektohet.
Disa aleatë, si Presidenti i Kubës dhe ai i Hondurasit e uruan zotin Maduro. Moska tha se do të forconte lidhjet me Karakasin.
Zoti Maduro po ushtron mandatin e dytë presidencial dhe votimet e së dielës ishin sfida më e fortë zgjedhore për të.
Kandidati Gonzales, është një diplomat në pension, i cili hyri në garë në prill pasi Gjykata e Lartë e Venezuelës nuk lejoi pjesëmarrjen në zgjedhje të kryetares së opozitës Machado.