Lidhje

UNDP: Në Kosovë bie pritshmëria për marrëveshjen e Ohrit


Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, i publikuar të enjten, vë në pah një rënie të besimit të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në jetën e tyre.

Sipas të dhënave të anketës mbi 52 për qind e shqiptarëve dhe mbi 25 për qind e serbëve të Kosovës kanë pikëpamje pozitive për këtë marrëveshje, për dallim nga nëntori të vitit të kaluar kur mbi 59 për qind e shqiptarëve dhe mbi 32 për qind e serbëve besonin në ndikimin pozitiv të marrëveshjes.

“Të dhënat tregojnë se gjithsej 50.6 për qind e të anketuarve besojnë plotësisht ose besojnë se marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa 35.8 për qind kanë deklaruar se besojnë që marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së deri diku, 10.3 për qind kanë deklaruar se nuk besojnë fare ose nuk besojnë. Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se shqiptarët e Kosovës me 50.9 për qind dhe komunitetet e tjera të Kosovës me 45.8 për qind janë më optimistë krahasuar me serbët e Kosovës me 24.8 për qind se marrëveshja do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj integruese”, tha Alisa Hasani, menaxhere e projektit.

Me 18 korrik Kosova dhe Serbia u dërguan ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të të cilave blloku pritet të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.

Zbatimi i marrëveshjes që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër nuk ka ndodhur dhe takimet e fundit në Bruksel që synonin zhbllokimin e këtij procesi përfunduan pa ndonjë rezultat.

Sipas raportit me emrin “Pulsi Publik” që hartohet me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, mbi 50 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës, një rritje krahasuar me të dhënat e anketës së kaluar kur kjo shifër ishte mbi 42 për qind. Rritje ka shënuar edhe kënaqshmëria e qytetarëve me drejtimin politik dhe ekonomik të Kosovës.

Në raport theksohet se është regjistruar një rënie e kënaqshmërisë me punën e gjykatave dhe të prokurorisë për mbi 2 për qind.

Anketimi i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara i cili synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend, rendit varfërinë, papunësinë dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

“Shpresojmë që partnerët e ndryshëm do t’i kushtojnë vëmendje rezultateve të këtij raporti dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm, veprime apo vendime që ata i shohin të përshtatshme për t’i trajtuar këto çështje. Si UNDP puna jonë nuk mbaron me publikim të raportit dy herë në vit, ne punojmë për çdo ditë me të gjithë partnerët tanë”, tha përfaqësuesi i përhershëm i këtij programi në Kosovë, Nino Queiros.

Raporti flet flet për një rritje të perceptimit të qytetarëve mbi sigurinë e tyre. Në tërësi mbi 83 për qind e qytetarëve thonë se ndihen të sigurt, krahasuar me rreth 79 për qind sa ishte ky numër në anketën e kaluar.

XS
SM
MD
LG