Në Shqipëri, ministri i Shtetit, për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, ishte sot në Prokurorinë e Posaçme ku mësohet të jetë pyetur rreth kompanisë "5D" e cila dyshohet se është në pronësi të dy ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të arrestuar në muajin mars. Përpara se të merrte detyrën e ministrit në shtator të vitit të kaluar, zoti Mazniku ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, që prej vitit 2015. Pasi doli nga Prokuroria, ku qëndroi afro 3 orë, ai nuk dha shpjegime por u mjaftua të thotë se kishte qenë si person në dijeni të një çështjeje.
Ndërsa ai ishte ende brenda godinës me hetuesit, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi publikoi pranë derës së Prokurorisë, një marrëveshje për prishjen e disa pallateve në Tiranë, të nënshkruar në prill të vitit 2021 mes zotit Mazniku, si nënkryetar i Bashkisë, dhe kompanisë së dy ish drejtorëve Redi Molla dhe Maringlen Qato, e cila në atë kohë quhej V.A.S Konstruksion. Bëhet fjalë për një akt të shtyrjes së afateve të punimeve të marra përsipër nga kompania dhe një ortake e saj.
Zoti Këlliçi akuzoi ish nënkryetarin e Bashkisë se “jo vetëm ka firmosur këtë marrëveshje, por e ka shtyrë afatin e saj disa herë, për të favorizuar kompaninë 5D dhe pazaret e tjera për ndërtimet e radhës”. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike akuzoi më tej Prokurorinë e Posaçme se po përpiqet të aministojë zotin Veliaj dhe ish zëvendësin e tij Mazniku.
Sipas Prokurorisë, kompania “5D” dyshohet të ketë përfituar në shkelje të rregullave disa tendera nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj, me vlera disa miliona eurosh. Pak ditë më parë, kjo kompani dhe prona të familjarëve të dy ish drejtorëve u vunë nën sekuestro. Hetimet për këtë rast, po zhvillohen për disa vepra penale, që nga fshehja e pasurisë, te shkelja e barazisë në tendera, korrupsioni apo pastrimi parave.