Shteti i Kolorados, që gjendet në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, është i njohur për shumë studentë ndërkombëtarë. Universiteti shtetëror i Kolorados në Fort Collins është njëri prej universiteteve më të mëdha në këtë shtet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Svitlana Prystynska i hedh një vështrim arsyeve se përse ky universitet josh kaq shumë studentë nga vendet tjera.
Studenti Dustin Moreno nga Panamaja zgjodhi të shkollohej në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar vendin e tij në zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet në sektorin e agrikulturës.
“Vendosa që ta bëja masterin në Amerikë pasi në këtë vend është një nga universitetet më të mira për shkencën e agrikulturës në përgjithësi. Por edhe për shkak të gjuhës angleze, gjuha tregtare që flitet gjithandej”, thotë ai.
Studenti Moreno ishte i shqetësuar se procesi i pranimit në universitet do të ishte i vështirë. Ai tha se universiteti e ndihmoi përmes një kursi dyjavor të gjuhës angleze që u ofrohet studentëve ndërkombëtarë para fillimit të studimeve.
Ai kreu studime mbi menaxhimin e bimësisë në sistemet e prodhimit bujqësor, në Universitetin shtetëror të Kolorados dhe planifikon të shfrytëzojë dijet e përftuara aty, për t’u dhënë përgjigje sfidave në sektorin e agrikulturës në Panama. Një prej tyre thotë ai, është fakti që Panamaja nuk ka tokë cilësore.
Vendi ka periudha me reshje të dendura të shiut dhe relievi malor kufizon se çfarë kulturash mund të mbillen.
“Një nga problemet e mëdha që kemi në Panama është menaxhimi i bimësisë dhe nuk njoh shumë njerëz që punojnë në këtë fushë. Ndaj e pashë si mundësi për të studiuar. Universiteti Shtetëror i Kolorados ka njëri nga programet më të mira në këtë drejtim. Pasi të përfundoj studimet master kam në plan të kthehem në vendin tim dhe të qëndroj atje”, thotë ai.
Universiteti i ndihmon studentët të përgatiten për tregun e punës në Shtete të Bashkuara dhe në vende të tjera, duke u përqendruar në programe në gjuhën angleze.
“T’u mësosh studentëve gjuhën angleze është privilegji më i madh i jetës time. U hap mundësi të shumta studentëve, u krijon përparësi ekonomike, akademike, shkencore. Sigurisht mosnjohja e gjuhës e kryesisht e terminologjisë profesionale, krijon pengesa të mëdha”.
Në rolin e saj si drejtore e programeve për gjuhën angleze, Lauren Kinter ndihmon studentët ndërkombëtarë të përshtaten brenda kampusit universitar.
“U japim studentëve mundësinë jo vetëm që të përmirësojnë njohuritë e gjuhës angleze, por edhe i ndihmojmë të kenë qasje reale në shkollim si dhe në aspektin kulturor. Të jesh student që mëson gjuhën angleze dhe të jesh student ndërkombëtar do të thotë të jesh më shumë se aq. Studentët duhet të jenë në gjendje të integrohen plotësisht në komunitetin e universitetit dhe në komunitetin e qytetit Fort Collins.
Studenti Moreno thotë se të studiuarit në Shtetet e Bashkuara e ka ndihmuar atë të besojë më shumë tek vetja.
“Bëj përpara e beso tek vetja. Edhe pse ky ndonjëherë mund të duket një rrugëtim i vështirë, me siguri në fund do t’ia dilni”.
Gjatë këtij viti akademik, në Universitetin Shtetëror të Kolorados kishte studentë nga afro 30 vende të ndryshme të botës.